7 Janar, 2018 - 5:20 pm
Këto ditë doli nga shtypi, libri me poezi “Trëndafila Persie”, antologji e poezisë moderne iraniane botuar nga Klubi i Poezisë në Tiranë me botues Rexhep Shahun dhe përkthyer nga Kujtim Morina.
Libri përmbledh 87 autorë iranianë të shekullit të 20-të, kryesisht me nga një poezi. Në parathënien e librit, Aziz Mahdi shkruan:
“Përmbledhja aktuale e poezisë moderne persiane sjell disa nga poetët më të mirë iranianë të 100 vjetëve të fundit, duke filluar nga Nima Yushij (babai i poezisë moderne persiane) deri në periudhën aktuale. Tematika e poezive varion në një gamë të gjerë të subjekteve që nga motivet mistike, sociale, të dashurisë, politike, etj. Duke qenë të vetëdijshëm se asnjë antologji nuk mund të pretendojë të përfshijë të gjithë poetët e njohur të një periudhe të caktuar, hartuesit e kësaj përmbledhjeje (tre poetë të njohur bashkëkohorë persianë) kanë përzgjedhur me kujdes një larmi të gjerë të poetëve bashkëkohorë për të dhënë një panoramë sa më të plotë apo një vështrim sa mund të kapë syri të zogut të poezisë moderne persiane. Veçoritë e imazhit, ato retorike dhe personale janë portretizuar në poezi të veçanta të përzgjedhura nga secili poet (dhe në rast të poezive të shkurtra janë përzgjedhur dy të tilla)”.
Botimi i këtij libri u bë me mbështetjen e Fondacionit kulturor “Saadi Shirazi” me qendër në Tiranë.
Po sjellim një poezi të një autori iranian
Sohrab Sepehri
Shtëpia e vjetër
Ku është shtëpia e vjetër?
Ishte muzg kur pyeti kalorësi.
Qiejt ndaluan për një moment.
Kalimtari i ktheu shpinën rrezes së dritës
që po i pushonte në buzë
drejt mugëtirës së rërës,
drejtoi gishtin drejt një plepi
dhe tha:
përpara asaj peme
është një kopsht anës rrugës
më i gjelbër sesa ëndrrat e Zotit
ku dashuria është aq blu1
si puplat e besimit dhe ndershmërisë.
Rruga deri në fund të atij shtegu
do t’ju çojë mu pas
rrugicave të adoleshencës,
kthehesh pastaj
drejt lules së vetmisë.
Vetëm dy hapa përpara se ta arrish atë lule,
ndalo pranë burimeve hyjnore të miteve të botës
ku do të ndjehesh i pushtuar
nga frika e gjithëpushtetshme.
Në atë mjedis të hirshëm dhe intim
do të dëgjosh një frushullimë,
do të shohësh një fëmijë
ngjitur në një pishë
duke kapur një zogth
nga foleja e dritës.
Atë duhet të pyesësh,
ku është shtëpia e vjetër?