12 Shkurt, 2021 - 5:45 pm
Janë anuluar dy çmime të manifestimit letrar “Flaka e Janarit 2021”, shkruan KultPlus.
Ky aktivitet i cili organizohet nga Ars Clubi “Beqir Musliu”, ka dy gara të ndryshme, njëri në kuadër të orës së madhe letrare për çmimin “Pena e Flakës” dhe konkursi anonim letrar për poezi dhe prozë.
Grupi punues i këtij manifestimi në përbërje nga Sabit Rrustemi, Albina Idrizi e Nexhat Rexha, ka bërë verifikimin e krijimeve të shpërblyera letrare nga ana e Jurisë profesionale ( Adem Gashi, Linditë Ramushi Dushku e Mehmetali Rexhepi ) dhe i konstaton këto gjetje:
Poezia e shpërblyer me Çmimin e dytë nga ana e Jurisë, e titulluar “BALADË”, me shifër “Vetëm 5 minuta” autore e së cilës doli të jetë Rozafë Shpuza nga Shkodra dhe tregimi i shpërblyer me Çmimin e tretë nga ana e Jurisë letrare, i titulluar “PALLATI I SORRAVE”, pa shifër, që doli të jetë më pas i Bajramali Selimit nga Gostivari kanë qenë të publikuara më parë në medie.
Nisur nga këto dy të dhëna, shihet qartë se publikimi paraprak i këtyre dy krijimeve e zhvlerëson anonimitetin e tyre dhe bie ndesh me kriteret e Konkursit anonim letrar, të bëra publike që nga 9 dhjetori i vitit 2020 e deri më 9 janar 2021.
Meqë këto kritere të mos publikimit të krijimtarisë në medie paraprakisht kanë qenë në fuqi tash e tridhjetë vjet, dy çmime, anulohen vetvetiu. / KultPlus.com