22 Qershor, 2019 - 3:00 pm
Me një galeri komplekse personazhesh dhe botë të pasur psikologjike, shkrimtari Charles Casha jep përmes veprës së tij një thirrje për reflektim shoqëror. I lindur në Marsa në vitin 1943, Charles u arsimua në Lyceum dhe pas përfundimit të një kursi 2-vjeçar në kolegjin “St. Michael”, u diplomua si mësues në vitin 1965.
Më 1982 Universiteti i Maltës i dha një certifikatë vlerësimi mbi Teknikat bazë të punës në bibliotekë dhe tre vjet më vonë (1985) një diplomë në Studimin e gjuhës malteze. Por kontributi i tij ishte edhe më i gjerë. Për shumë vjet ai ishte anëtar aktiv në organizata të ndryshme rinore të tilla, si: Këshilli Rinor Konsultativ i Maltës dhe Rrethi Rinor Shëtitës.
Në të njëjtën kohë, e gjejmë të përfshirë në projekte të ndryshme pune vullnetare në Kalabri dhe Maltë, si pjesë e Trupës së Shërbimit Vullnetar (Maltë). Po ashtu, ai dha kontributin e tij edhe në organizata e lëvizje letrare, siç ishte Moviment Qawmien Letterarju (Lëvizja për promovimin e letërsisë).
Përgjatë viteve Casha është vlerësuar me një sërë çmimesh. Në vitin 2007 këshilli lokal i Marsës i akordoi çmimin Gieh il-Marsa dhe në vitin 2013 këshilli lokal i Zabbar-it e nderoi me çmimin Hieh Haż-Żabbar. Po ashtu në vitin 2012 u vlerësua me Midalja Ghall-Qadi tar-Repubblika (Medalje për shërbimin ndaj Republikës) me motivacionin shërbim i dalluar ndaj Maltës si shkrimtar.
Aktualisht ai është anëtar i L-Akkademja tal-Malti (Akademisë Malteze) dhe për nëntë vjet ka dhënë një kontribut të çmuar edhe në Kunsill Nazzjonali tal-Ktieb (Këshillin Kombëtar të Librit). Libri i tij Il-Klabb – L-Ghaxar Anniversarju, kryesisht për adoleshentë, fitoi çmimin e letërsisë për fëmijë në vitin 1998. Tre vjet më vonë (2001) iu dha i njëjti çmim, këtë radhë për librin Gummienu.
Por autori është jo pak i njohur edhe në lëmin ndërkombëtar. Në tetor 2012 përfaqësoi Maltën në Festivalin e Letërsisë Tanpinar në Stamboll dhe tregimi i tij Il-Fjura tat-Tlitt Ilëien (Lulja trengjyrëshe) u botua në anglisht dhe turqisht në dy antologjitë Șehir Ve Korku (Qyteti dhe frika). Po ashtu, një përzgjedhje nga romani L-Appartament fir-Raba’ Sular (Apartamenti në katin e katërt) u botua në anglisht në antologjinë Përtej detit të mëndafsh në vitin 2016.
Një version anglisht i librit është botuar nga shtëpia botuese “Midsea Books”. Vlen të përmendet edhe fakti që Casha ishte autori i parë maltez që ka kontribuar në Bibliotekën Digjitale Ndërkombëtare për Fëmijë me librin Pandolino/ Galatea. Rrugëtimi i tij drejt suksesit nisi në vitin 1960, kur ishte ende student. Ai njihet kryesisht si autor i librave për fëmijë, por jo vetëm. Casha ka shkruar edhe tregime e romane për të rritur, ndër të cilët është edhe Apartamenti në katin e katërt.
Ky roman, i cili konsiderohet si një nga librat e tij më të mirë, është vlerësuar me çmimin e dytë në Konkursin Kombëtar të Letërsisë në vitin 2005. Aty Casha eksploron personazhe dhe situata të marra nga jeta e përditshme, duke i përshkruar me ngjyra kaq realiste, saqë lexuesi bëhet kurioz të mësojë më shumë. Tema kryesore që përshkon gjithë romanin lidhet me idenë që koha dhe hapësira janë ato që mbrujnë dhe formësojnë fatin e personazheve. Koncepti që të gjithë jemi viktima të njëri-tjetrit spikat dukshëm në roman.
Historia e secilit prej personazheve është mjaft e goditur dhe e përshkruar me shumë dashuri, sikur të ishin pjesë e një tabloje ku secili përballet me vështirësitë e jetës në mënyra të ndryshme, aq sa edhe vetë lexuesi arrin ta gjejë veten aty. Një tjetër temë është edhe ajo e dashurisë për nënën, e cila jepet me një freski që gati-gati të prek.
Epilogu i qëndron besnik rrjedhës së ngjarjeve që, në thelb, përshkruajnë një dramë të pastër njerëzore. Samueli, personazhi kryesor, duket se ka dështuar të integrohet e të bëhet pjesë e shoqërisë. Portreti i tij na serviret në mënyrë mjaft bindëse. Diçka e lënë përgjysmë vite më parë është makthi me të cilin duhet të përballet tani. I gjendur vetëm dhe pa një sup ku mund të mbështetet, i mbetet të çajë përpara krejt i vetëm dhe të mundohet të jetojë në botën reale dhe jo në botën imagjinare të njerëzve që i thërret në emër. Herë pas here vërehen pikëtakime me diçka që shkon përtej jetës, pikëpyetje mbi atë që ndodhet përtej varrit ku vendosen lule çdo muaj.
E vërteta mund të jetë e dhimbshme dhe e vështirë për t’u pranuar, por rrugëtimi drejt saj është mënyra e vetme për të mësuar më shumë. Në fund shikojmë që Samueli zgjedh të jetojë në apartamentin e katit të katërt si një formë shpagimi. Sidoqoftë, i mbetet lexuesit të thellohet mbi arsyet që e shtyjnë të marrë këtë vendim, duke e shndërruar kësisoj këtë roman në një thriller të vërtetë psikologjik që të tërheq deri në fund.