9 Tetor, 2018 - 11:00 pm
Sot, në sallën e amfiteatrit, në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, u mbajt një takim letrar me shkrimtarin Arben Prendi, i njohur për veprat poetike “Të shtunën ndize një qiri”, “Vashat nguten me u ba gra” dhe “Qirinj për të gjallët”, si dhe për studimet e tij letrare. Në këtë takim u promovua edhe libri më i ri i tij, “Vepra poetike” (vëllimi i parë).
Për autorin dhe librin foli shkrimtari dhe profesori Ag Apolloni, i cili ishte edhe organizator i këtij takimi. Me një publik të përbërë nga studentë dhe studiues të gjuhës dhe letërsisë shqipe, autori diskutoi për procesin kreativ, për gjendjen e poezisë dhe të letërsisë sonë bashkëkohore, për komunikimin dhe njohjen e ndërsjellë të autorëve nga Shqipëria dhe Kosova, si dhe për frymëzimin dhe artin e poezisë. “Poezia nuk shkruhet me orar dhe pa frymëzim”, tha poeti Prendi, “dhe nuk i drejtohet gjithkujt, por vetëm më të mirëve” dhe shtoi se nuk preferon zgjedhjen e temave, pasi asnjë temë nuk është e huaj për poetin.
Ndërsa Apolloni e vlerësoi krijimtarinë letrare të Prendit si “një poezi reflektive të dendur me ide filozofike” si një poezi autentike që nuk përzihet me korin e poetëve mediatikë. Kurse për veprën shkencore të tij shprehu konsiderata të larta, pasi, siç tha ai, “studimet kritike të Arben Prendit mbushin vakuumin e krijuar nga kritika ideologjike, e cila studionte vetëm letërsinë që i shërbente regjimit” dhe për këtë ai përmendi shkrimet e Prendit mbi veprat e autorëve të njohur, si: Ridvan Dibra, Fatos Kongoli, Agron Tufa, Zija Çela e të tjerë. “Kritika e Prendit dallohet për kërkimet metodologjike dhe për dekonstruktimin e domethënieve estetike”, konstatoi profesor Apolloni, duke shtuar se “për Arben Prendin poezia është pasion, kurse studimi i letërsisë është profesion”.
Arben Prendi është poet, studiues dhe profesor në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Takimi i tij me lexuesit kosovarë është në vazhdën e takimeve me krijues, të organizuar nga profesor Apolloni në Fakultetin e Filologjisë, ku ai sjell shkrimtarë të ndryshëm për t’i shpalosur përvojat e tyre para studentëve të këtij fakulteti, apo edhe para një publiku më të gjerë. Deri tash të ftuar kanë qenë shkrimtarët Rexhep Qosja dhe Agron Tufa. Arben Prendi ishte i ftuari i tretë për këtë vit./ KultPlus.com