Arbër Selmani sjell librin e ri poetik, dedikim për babin

24 Maj, 2022 - 8:30 pm

Shkrimtari dhe gazetari Arbër Selmani, së shpejti do të promovojë librin e tij më të ri me poezi dhe prozë poetike, shkruan KultPlus.

Ky është libri i tij i dytë me poezi e prozë. Ndërkaq, Selmani deri më tani ka botuar tri libra, njërin me poezi për fëmijë (Pse hidhërohet gjyshi – 2005), librin me shkrime gazetareske ‘Kosova në 14 tregime kulturore’ – 2019, dhe librin me shkrime gazetareske ‘Kosova në 14 tregime kulturore – 2’.

Lajmin e bëri të ditur vetë shkrimtari Selmani nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.

“Librin me poezi e prozë poetike po e promovoj me 7 qershor, në Kino ARMATA në Prishtinë, prej orës 19:00. Kjo është faqja e tretë në libër, dedikimi im. Ky është libri im i dytë me poezi e prozë, të parin e pata botu në vitin 2005, pra i bjen që po kthehem me libër me poezi pas 17 vitesh. Librin e parë ma pat’ sjellë babi në shpi, pa e ditë unë hiç. Këtë libër, po ia dedikoj unë babit, njeriut që më motivoi deri ditën e fundit të jetës së tij….askujt tjetër….”, ka shkruar ai.

Ai gjithashtu është shumë i njohur edhe për poezinë e tij ‘Kur vdiq baba’, e cila deri më sot është përkthyer në shumë gjuhë të botës dhe ka marrë një shpërndarje të madhe në rrjetet sociale. / KultPlus.com

Të ngjajshme