Arbëreshët vlerësojnë me çmimin “Liria” poeten Irma Kurti

25 Mars, 2021 - 6:59 pm

Komuniteti Arbëreshë i ka akorduar çmimin “Liria”,  poetes Irma Kurti.

“Fjala “Liria” përfaqëson popullin italo – shqiptar, sepse komuniteti arbëresh është një shembull i vlefshëm historik i atyre që luftuan me vendosmëri të madhe, që mbrojtën dhe rifituan lirinë për një popull të tërë, i aftë për të përcjellë për pesë shekuj, brez pas brezi, një ndjenjë të fortë të përkatësisë me Vendin e origjinës,  Shqipërinë”.

Ky çmim iu dha në kuadër të konferencës ndërkombëtare që u mbajt online nga shoqata Life Aps si pjesë e Javës XVII të Veprimtarisë kundër Racizmit të UNAR (Zyrës Kombëtare kundër Diskriminimeve Racore). Në këtë event kishte rreth njëqind pjesëmarrës dhe ai u përfshi në kalendarin e Javës Dixhitale të Milano-s me temën “Milano: sfida anti-raciste”.

“Çmimi më lumturon pa masë, jo vetëm për rëndësinë historike dhe ngarkesën emocionale që mbart fjala liri, por edhe pse kur marr një vlerësim të tillë, unë kuptoj se puna ime si krijuese nuk është e mbyllur brenda katër mureve të një dhome dhe përpara një ekrani kompjuteri, por ajo arrin tek shumë njerëz, tek të gjithë ata që përpiqen çdo çast e çdo ditë ta shohin botën të çliruar nga konfliktet, paragjykimet, diskriminimet, një botë të paqtë dhe plot harmoni”- u shpreh poetja Irma Kurti pas marrjes së çmimit./ KultPlus.com

Të ngjajshme