Arbnora Dushi dhe Eli Krasniqi prezantojnë hulumtimet e tyre në Universitetin e Humboldt-it në Berlin

11 Mars, 2019 - 6:00 pm

Në fillim të muajit mars në Universitetin e Humboldt-it në Berlin u organizua takimi akademik ndërdisiplinar mbi “Të kufizuarit e performancave të identitetit dhe dhunës”, ku studiues nga qendra të ndryshme akademike ndërkombëtare sollën interpretime e dëshmi nga studimet e tyre kulturore e sociale në zonat kufitare në Ballkan, shkruan KultPlus.

Krahas shumë studiuesve nga vende të ndryshme të botës, atje u paraqiten edhe prezantimet e studiueses Arbnora Dushi dhe antropologes Eli Krasniqi.

 Nën përkujdesjen e ballkanologes Agata Rogoś dhe profesorit Christian Voss, nga Instituti për Sllavistikë dhe Hungarologji i Universitetit të Humboldt-it, programi i këtij takimi përmbante tema të grupuara në gjashtë panele tematike, në të cilat u zhvilluan edhe diskutime e shqyrtime të problematikave të paraqitura. Temat që u trajtuan kishin të bënin me perceptimet mbi të kaluarit e kufirit në qytetet kufitare; mbi vënien e kufijve të rinj në Ballkan dhe rolin e qendrës e të periferisë; mbi identitetin, nacionalitetin dhe mungesën e pushtetit në zonat kufitare; mbi praktikat përkujtuese në zonat kufitare; mbi histori gojore nga këto zona si edhe mbi muret, dhunën, kufijtë dhe përballjen me barrierat.

E veçanta e këtij takimi akademik ishte prania e dallueshme e temave që prezantuan hulumtime e dëshmi nga zonat kufitare që i rrethojnë shqiptarët, përfshirë edhe rastet kur kufiri i ka përgjysmuar ata. Me temën e Mitrovicës dhe hulumtimet në këtë qytet u paraqitën studiuesja nga Varshava, Marzena Maciulevic, “Sfidat dhe organizimi i hulumtimeve në qytetin e ndarë të Mitrovicës” si dhe studiuesi nga Regensburgu, Pieter Troch, me temën për urbanizimin socialist dhe ndarjen etnike në Mitrovicë.                                  

Brenda tematikës së këtij qyteti cilësohet të jetë edhe prezantimi i studiueses nga Kosova, Arbnora Dushit, e cila me temën “Nga kujtesa për kufirin tek përvoja me kufirin”, solli dëshmi auto-etnografike, nga perspektiva e saj si hulumtuese e brendshme dhe raporti i saj me kufijtë e shtetit. Nëpërmjet kujtesës ndërbreznore, si pjesëtare e brezit të tretë në familje, ajo e përshkroi kufirin me Shqipërinë, kur gjyshja e saj e martuar nga Kukësi në Gjakovë, kontaktin me familjen e saj matanë kufirit e kishte mbajtuar nëpërmjet letrave dhe fotografive familjare për disa dekada. Më pas, vetë autorja, me luftën e fundit dhe deportimin e shqiptarëve nga Kosova në Maqedoni, e kishte fituar dhunshëm statusin e refugjatit, për të përfunduar në kufirin tjetër, ku vendilinda e saj Mitrovica, sot figuron e ndarë në anën veriore dhe jugore të të njëjtit qytet.

Mbi përvetësimin e prejardhjes së përbashkët në politikat identitare në Opojë të Kosovës, fokusohej prezantimi i hulumtimit të antropologes Eli Krasniqi, e cila momentalisht punon si asistente universitare në Institutin e Historisë në Universitetin e Gracit në Austri.

Gjithashtu në këtë takim akademik, me tema për shqiptarët u prezantuan edhe dy studiuesit, Enriketa Pandelejmoni nga Universiteti i Tiranës me temën “ Kujtimet e kontestuara në zonat kufitare: çamët dhe identiteti e përfaqësimet greke në Shqipërinë e jugur sot” si dhe studiuesi shqiptar nga Universiteti i Varshavës, Rigels Halili me temën “Margjinaliteti dhe centraliteti: disa të dhëna mbi luginën e Zagorisë dhe kufirin shqiptaro-grek”.

Po ashtu, antropologu francez, Gilles de Rapper, nëpërmjet një këndvështrimi mbi kufijtë konceptualë (jo fizikë) prezantoi temën mbi neo-pellazgizmin në Shqipëri, të shfaqur pas viteve ’90.

Në këtë takim akademik, nga perspektiva të ndryshme u paraqitën hulumtime për praktikat dhe paradoksest në zonat kufitare në Bosnje, për kalimin transitor të refugjatëve në Kroaci në vitin 2015, për kufijtë e dobët inter-konfesionalë në vendet e kultit ndërmjet muslimanëve dhe të krishterëve në Maqedoni, për kontestimin e “Vëllazërim-Bashkimit” gjatë luftës civile greke në kujtesën ndërbreznore të diasporës maqedonase si dhe problematika të tjera kufitare nga Serbia, Kroacia, Bullgaria./ KultPlus.com

Të ngjajshme