15 Mars, 2019 - 3:15 pm
Presidenca e Shoqatës së Shkrimtarëve të Maqedonisë dhe juria e ngritur prej saj shpalli fituesit për çmimit ndërkombëtar prestigjioz “Skeptri letrar”.
Ky institucion vlerëson me këtë çmim një autor nga poezia europiane dhe një poet maqedonas. Me “Skeptrin letrar” për autorin nga poezia europiane u vlerësua poeti shqiptar, Arian Leka. Poeti maqedonas që meritoi “Skeptrin letrar” është Radovan P. Cvetkovski. “Skeptri letrar” është çmimi më i rëndësishëm i Shoqatës së Shkrimtarëve të Maqedonisë dhe u ofrohet atyre autorëve, që në veprën e tyre kanë prurje të vlerave të larta estetike. Çmimi u dorëzohet fituesve gjatë Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë, që mbahet në Shkup në qershor të vitit 2019. Përveç trofeut letrare të skeptrit, poetit Arian Leka ky çmim i sjell edhe botimin e një libri me poezi të zgjedhura përkthyer në gjuhën maqedonase, në gjuhën angleze, përballë tekstit në gjuhën shqipe.
Nuk është hera e parë që shkrimtari Arian Leka botohet në gjuhën maqedonase, siç edhe krijimtaria e tij letrare nuk është e panjohur për lexuesit maqedonas dhe shqiptarë që jetojnë në Maqedoninë e Veriut.
Në vitin 2016 romani i tij me titull “Gjarpri i shtëpisë” u publikua nga shtëpia botuese e suksesshme “Goten” me përkthimin e Mirjana Ilieva-Jasharit dhe e shoqëruar me një pasthënie nga shkrimtari i shquar Luan Starova, i cili shkruan: “Arian Leka, me veprën e tij poligrafe letrare si poet, tregimtar dhe romancier, eseist, përbën gjeneratën më të re të shkrimtarëve shqiptarë e cila çlirohet në mënyrë radikale nga socrealizmi, duke iu afruar poetikës së romanit modern evropian”.
Më herët poezitë e këtij autori, të përkthyera në gjuhën maqedonase nga Resul Shabani janë paraqitur në Festivalin Ndërkombëtar të Strugës dhe janë botuar në revistën letrare “Sintesi”.
Ese të tij mbi multikulturalizmin dhe muret e dukshëm dhe të padukshëm mes kulturave në Ballkan dhe në Europë, janë mirëpritur nga kritika dhe lexuesit pasi janë botuar në revistën “Stozher”, nën përkthimin e Daim Miftarit.
Vlerësim për krijimtarinë në prozë të Arian Lekës ka shprehur edhe kritikja e njohur letrare Elizabeta Sheleva, e cila ka përqasur modalitetet e babait në letërsinë maqedonase me shembuj të krahasueshëm nga rajoni i Ballkanit. Po ashtu, është mirëpritur edhe tregimi “Pema”, i përkthyer në gjuhën maqedonase nga Fatbardha Shehu, për të cilin shkrimtari dhe kritiku letrar Srdjan Srdi? ka shkruar se kjo prozë e ciklit të tregimeve të Arian Lekës mbi fatin e emigrantëve shqiptarë pas vitit 1991 dhe të atyre që masivisht braktisin një nga vendet më të varfra të Europës në fund të shekullit të shkuar, në kërkim të strehës përtej Atlantikut, por edhe në Italinë fqinje, ndërtohet me tekste pakrahasimisht më të dhimbshëm, të tillë që shkaktojnë hidhësi dhe ngarkesë leximi, për shkak të identifikimit të drejtpërdrejtë dhe të papenguar me viktimat historike të padyshimta, nga të cilat nuk ka pak anekënd Ballkanit. Nga perspektiva e një fëmije tregimi “Pema” shpreh jo vetëm tmerrin që përndjek emigrantët, por i kontribuon drejtpërdrejtshmërisë, si edhe zmadhimit të mundimeve para tablove të natyrës njerëzore, të pandreqshme dhe të këqija.
Por veçmas të tjerave, vlerat e poezisë së Arian Lekës janë shprehur përmes krijimtarisë kushtuar detit dhe marrëdhënieve të shqiptarëve me detin dhe të njeriut, si qenie universale, me të. Duke u shprehur për krijimtarinë e tij Luan Starova shkruan: “Rrënjët e Arian Lekës në jetë dhe në krijimtari janë atje, në Durrës, përgjithmonë mes bregut dhe detit, por më shumë në det se sa në breg (…)
Arian Leka është autor i disa librave me poezi, prozë, ese dhe studime letrare. Krijimtaria e tij letrare është nderuar me 4 çmime kombëtare nga Ministria e Kulturës si librat dhe dorëshkrimet letrare më të mirë të vitit (Strabizëm 2004; Shpina e burrit, 2006, Ndreqje gabimesh 2010; Dora e majtë, 2016). Tregimi i Arian Lekës “Vëllezër në brisk” u bënë pjesë e antologjisë së mirënjohur “The Best European Fiction 2011” (USA). Në vitin 2014, eseja e tij “Këmisha” u bë pjesë e antologjisë europiane “Das Hemd” (Graz, Austri). Në vitin 2017 tregimi “Qeli prej letre” u përfshi në antologjinë “Glückliche Wirkungen” (Berlin, Gjermani) dhe në vitin 2018, tregimi “Paranoja” u botua në antologjinë “Europiani i mirë (Mynih, Gjermani).
Poezitë e Arian Lekës janë botuar si libra më vete në gjuhën frënge (L’il qui chasse) përkthyer nga Edmond Tupja, në gjuhën gjermane (Ein Buch Ein Meer), përkthyer nga Lindita Arapi dhe Loreta Schillock, në gjuhën rumune (Biblioteca plutitoare), përkthyer nga Ardian-Christian Kyçyku. Këto poezi janë botuar në antologji të shumta në gjuhët angleze, italiane, sllovene, gjermane, serbe, kineze, kroate, finlandeze si dhe në mjaft revista letrare, mes të cilave edhe “Poem” me editore poeten e shquar britanike Fiona Sampson /Gazeta Shqiptare. / KultPlus.com