Ars Clubi ‘Beqir Musliu’ organizon tryezë letrare për Skënderbeun

22 Nëntor, 2018 - 9:00 pm

Këtë të shtunë, më 24 nëntor 2018, Asociacioni Alternativ i Shkrimtarëve të Kosovës, Ars Clubi “Beqir Musliu”, i mbështetur edhe nga Biblioteka e qytetit në Gjilan, organizon tryezë letrare “Gjergj Kastrioti në poemën Skënderbeu të Beqir Musliut e më gjerë”.

Kjo tryezë letrare organizohet në kuadër të edicionit të 9-të të manifestimit kulturo- letrare, “Vjeshta letrare e Gjilanit.

Tryeza letrare do të mbahet në Sallën e Konferencave të Bibliotekë në Gjilan, duke filluar nga ora 12:00, ndërsa pritet të prezantohen kumtesa të shumta nga studiues të njohur shqiptar.

Shkrimtari Sabit Rrustemi, kryetar i Ars Club “Beqir Musliut”, ka thënë në një prononcim për Kallxo.com se tryeza letrare për Skënderbeun, është aktiviteti qendror i edicionit të sivjetmë të “Vjeshtës letrare të Gjilanit” dhe i kushtohet Vitit të Skënderbeut, në 550 vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar.

Njëkohësisht, ka thënë ai kjo tryezë i kushtohet edhe 50 vjetorit të botimit të vëllimit poetik të Beqir Musliut, “Kunorë sonetesh” nga revista letrare “Jeta e re”, e cila, siç ka thënë ai, si poemë e plotë do të botohet pas vdekjes së autorit, në vitin 2004, poemë kjo që i kushtohet kryeheroit shqiptar Skënderbeut.

“Skënderbeut, është poema e parë e shkruar që në vitin 1968 për Skënderbeun dhe, për rëndësinë dhe vlerat e kësaj poeme do të flasin njerëz të shquar të letrave shqipe nga Tirana, Shkupi, Prishtina e qytete tjera të Kosovës”, ka pohuar Rrustemi.

Rrustemi ka thënë më tej se aktivitetet e “Vjeshta letrare e Gjilanit” do të shtrihen edhe gjatë muajit dhjetor, siç ka potencuar ai, gjatë dhjetorit, Ars Clubi “Beqir Musliu”, ka në agjendë dhe dy veprimtari tjera letrare dhe përmbyllet më 22 dhjetor, me vitin kalendarik të vjeshtës.

“Përndryshe, është manifestim që afirmon librin, që vlerëson figura të rëndësishme të letërsisë shqipe, jo vetëm nga Anamorava, por, edhe më gjerë si dhe paraqet krijues të ndryshëm përgjatë këtij manifestimi, i cili realisht është dhe një maratonë letrare”, ka pohuar Rrustemi.

Ai ka thënë se “Vjeshta…”, në një kohëzgjatje prej dy muaj e gjysmë dhe, që nëntë edicione, kryesisht mbahet mbi bazën e një vullneti të krijuesve dhe mbështetësve të librit, i ndihmuar herë pas here edhe nga Komuna e Gjilanit.

Edicioni i nëntë i këtij manifestimi tashmë tradicional ka nisur rrugëtimin më 6 tetor 2018, nga Biblioteka e re e qytetit të Gjilanit, me ekspozimin e 14 titujve të rinj të Ars Clubit “Beqir Musliu’, botuar gjatë këtij viti, si dhe duke vazhduar më pas me shpalimin e portretit letrar të shkrimtarit të shquar të mërgatës shqiptare, Ramadan Rexhepi, fitues i sivjetmë i çmimit letrar “Beqir Musliu”.

Po gjatë tetorit në kuadër të “Vjeshtës letrare të Gjilanit” ishin mbajtur dhe katër veprimtari përuruese letrare, dy në Gjilan, e dy në Prishtinë. /KultPlus.com

Të ngjajshme