27 Korrik, 2024 - 5:43 pm
Sali Bashota
(Avni Spahiu, diplomat, publicist, përkthyes)
Një ditë pranvere e javës së fundit të prillit të vitit 2022, në një takim miqësor me Avni Spahiun në restaurantin “Symphony” në Prishtinë, biseduam për shumë tema, ngjarje, situata, përjetime, kujtime, por edhe për shumë çështje, fenomene e dukuri të pranishme në realitetin tonë e më gjerë. Po atë ditë, sikur m’u ngulit në mendje që të bëja një intervistë të gjatë me të dhe që të botohet si libër i veçantë nga Botimet REA.
Me Avni Spahiun është shumë lehtë të bisedosh dhe natyrisht edhe të pajtohesh me idetë dhe mendimet e tij, kur ai flet për një varg temash e ngjarjesh të ndryshme. Prandaj me mirëkuptim e dashamirësi të plotë, u pajtuam që bashkëbisedimi ynë të përqendrohet në disa drejtime, duke filluar nga fëmijëria, rinia, studimet, gazetaria, përkthimi, kultura, letërsia, leximi, diplomacia, paqja, lufta, familja, dashuria, ëndrrat, liria, pastaj edhe për personalitetet publike me ndikimin në rendin botëror, apo për personalitete të historisë dhe të kulturës shqiptare. Kënaqësia e bashkëbisedimit sikur e shtresonte në vete artin e bukur të fjalës dhe të mendimit, meqë Avniu është i saktë dhe i qartë në çdo përgjigje të tij.
Në fakt, qetësia, modestia, thjeshtësia, mendjemprehtësia e Avni Spahiut e shpërfaqnin guximin e nismës time për të shpalosur Ditarin e Jetës së tij në kohë dhe rrethana të ndryshme. Por, ishte përpjekja ime e vazhdueshme për ta realizuar idenë e komunikimit në rrugëtimin e tij nëpër vitet e lumtura, por edhe nëpër vitet e vështira, të cilat i kemi përjetuar si popull. Por, përvoja e tij e jashtëzakonshme në shumë segmente të jetës më vuri në “siklet”, për ta mbrojtur qëllimin e këtij bashkëbisedimi, se cilat pyetje do të ishin më të qëlluara që do ta shpalosnin më së miri realitetin tonë, kuptohet përbrenda rrethanave të caktuara politike, diplomatike e kulturore apo cilat pyetje do ta “ngacmonin” më shumë Avniun, për të arritur deri te njëra ndër porositë kryesore të bashkëbisedimit, duke i shpalosur një nga një ato faqe miqësie, siç thoshte Avniu, për t’i evidentuar dhe karakterizuar, sidomos marrëdhëniet me shumë vende mike të Kosovës, në mënyrë të veçantë marrëdhëniet shqiptaro-angloamerikane.
Avni Spahiu në të gjitha pyetjet e mia doli si rrëfimtar i sigurt, i arsyeshëm dhe bindës, duke i ruajtur karakteristikat e përgjigjeve me invencion, përkushtim të veçantë dhe me plot ngrohtësi.
Duke filluar nga fëmijëria, rinia, studimet, në njërën anë dhe për të vazhduar nëpër etapat e tjera të jetës dhe të krijimtarisë së tij që ndërlidhen me publicistikën, diplomacinë dhe përkthimin letrar, në anën tjetër. Kuptimi, domethënia dhe esenca e mendimeve të Avni Spahiut e kanë thellësinë dhe lartësinë e vet. Para së gjithash, profesionalizmi e tij e zgjon filozofinë e botëkuptimeve dhe botëpërjetimeve për shumë ngjarje të kaluara dhe aktuale që i ka përjetuar edhe vetë, duke qenë jo rrallë edhe protagonist i zhvillimeve politike dhe në mbrojtje të të drejtave njerëzore dhe kombëtare.
Prandaj bashkëbisedimi me të, nuk është thjesht vetëm një vargëzim i ligjërimit publicistik për të shpalosur sa më shumë kujtime apo për ta qartësuar shtegun e pasionit për disa tema të ndjeshme që janë kumbuese me efektin e tyre, por edhe të shpjeguara me cilësinë dhe emocionalitetin e figurshëm. Pa dyshim, se janë trajtuar bindshëm, sidomos me stilin e shkrimit, në radhë të parë, për të paraqitur një kohë të përjetuar me përvojën e tij intelektuale, publicistike e diplomatike. Bashkëbisedimi me Avni Spahiun shkon përtej kohës dhe hapësirës ku skicohet jeta e intelektualit shqiptar me finesat e saj për të dëshmuar shtegtimin e një djaloshi që qysh në rini frymëzohet nga ëndrrat e bukura të jetës amerikane. Bashkëbisedimi me Avni Spahiun dëshmon për zërin autentik të intelektualit dhe për përvojën e tij personale që ka shtresime të gjera intelektuale në periudha të ndryshme, madje duke qenë edhe njëri ndër njohësit më të mirë të proceseve politike që ndërlidhen me shqiptarët, Kosovën, Ballkanin dhe më gjerë.
Si publicist e ka artikuluar realitetin shqiptar për të dëshmuar lirinë, të drejtën dhe të vërtetën për shqiptarët e Kosovës, duke qenë gjithmonë i qartë dhe argumentues me shkrimet e tij dhe me përfaqësimin diplomatik në disa shtete të botës, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe kur flet për takimet me presidentë e diplomatë amerikanë, edhe kur flet për takimet dhe bashkëpunimin e gjatë me Ibrahim Rugovën, pastaj me Adem Demaçin etj., edhe kur flet me takimet me Ismail Kadarenë, apo për miqësinë me Azem Shkrelin, Ali Podrimjen, Basri Çapriqin, Qani Mehmedin dhe me miq të shumtë që i ka takuar në vende të ndryshme të botës, si dhe me miqtë e tij në Kosovë, Avni Spahiu, është gjithmonë i njëjti, i afërt dhe miqësor. Po kështu, bashkëbisedimi me Avni Spahiun për çështje dhe fenomene të letërsisë dhe të kulturës në përgjithësi vetvetiu e krijon një kod të komunikimit i cili i ka shenjat e veta të veçanta, duke i karakterizuar aktivitetet e tij të shumta krijuese, qoftë si përkthyes, publicist, autor veprash të rëndësishme, por edhe si diplomat dhe veprimtar i çështjes kombëtare. Cilat janë sfidat,
vështirësitë dhe kënaqësitë që paraqet prezentimi i një kulture tek një tjetër; cilat janë proceset që karakterizojnë mediet në Kosovën e pasluftës dhe si ishte gazetaria në kontekstin e dekadës së nëntëdhjetë; si po e (keq) përdorim gjuhën e shkruar dhe atë publike, cili është roli i intelektualit sot në Kosovë, e aspekte të tjera janë disa nga pyetjet dhe çështjet e shtruara. Në këtë intervistë, Avni Spahiu, jep informacione me interes për autorë të letërsisë shqipe, por edhe për autorë të letërsisë botërore, duke përfshirë edhe nobelistët, si dhe për shumë dukuri dhe probleme të gazetarisë në Kosovë, në periudha të ndryshme. Bashkëbisedimi me Avni Spahiun e ka magjinë e vet të frymëzimit edhe për veprimtarinë e tij në shumë drejtime. Përmbajtja dhe mesazhi i përgjigjeve të tij paraqesin sintezën e informacioneve të sistemuara me origjinalitet dhe me një invencion të rrallë kreativ, që do të ishte model për publicistët shqiptarë.
Libri “Arti i bashkëbisedimit”, i sajuar përmes pyetjeve të mia dhe përgjigjeve të tij është njëri ndër artikulimet më pasionante të Avni Spahiut që ka të bëjë me kulturën, letërsinë, diplomacinë, përkthimin, publicistikën etj. Për më tepër, ky libër me përmbajtjen dhe informacionin që ofron, gjithsesi, i ka shenjat e veta të përveçme, pikërisht me stilin, gjuhën, mjeshtërinë e rrëfimit, por edhe me përbërës të tjerë të shumtë që dëshmojnë për vlerën e mendimeve autentike dhe për pikëpamjet shumëdimensionale të Avni Spahiut.
Një cilësi dhe një pasurim i mendimit shqiptar sot./ KultPlus.com