Artpolis organizon mbrëmjen poetike ‘Poezi për Fuqi- Revoltë në kohë të vështirë’

1 Mars, 2025 - 11:27 pm

Një takim frymëzues i poezisë feministe “Poezi për Fuqi- Revoltë në kohë të vështirë” do të mbahet nën organizimin e “ArtPolis” në Menzën “Ramiz Sadiku”, si një akt revolte poetike për të transformuar heshtjen në shoqëri.

Organizatorët e ngjarjes kanë thënë se në këto kohë të vështira, revolta poetike është shpërthim ndaj shtypjes, ankthit e pafuqisë. Sipas tyre Poezia është guximi për t’u shprehur, për t’i thënë jo izolimit, heshtjes dhe stigmës mbi shëndetin mendor, fizik e emocional.

“Revolta nuk është gjithmonë britmë. Ndonjëherë është heshtje që vlon përbrenda. Përmes “Poezi për Fuqi” ju ftojmë në këtë akt revolte poetike – ta shkruajmë atë, ta themi, ta transformojmë heshtjen!

Revoltohemi për të mos lejuar që dhimbja të na shndërrojë në hije. Revolta jonë është refuzimi për t’u shuar. Revoltohemi që ta lindim poezinë tonë të çlirimit të mendjes e shpirtit.

Poezia, arti e fjala e thënë janë revolta që dhimbjen e kthen në forcë, heshtjen në zë, e mendimin e pashprehur në krijim. Të krijosh është të jetosh!”, thuhet në njoftim.

🎤Kjo natë poetike do të shoqërohet nga tingujt magjikë të “Don’t Listen to Your Neighbours”.

🗣Kurse, poezitë do të marrin jetë përmes interpretimit nga Anisa Ismaili, Arbresha Grabovci Nixha, Bibi Qena, Blerta Syla Surroi, Ergjan Mehmeti, Gili Hoxhaj, Ilire Zajmi, Maja Mitiq, Qendresa Kajtazi, Rudina Dembacaj, Sheqerie Buqaj, Vlora Ademi dhe Xhejlane Tërbunja.

🎭Në udhëheqjen e kësaj mbrëmjeje poetike do të jetë regjisorja Zana Hoxha, e cila do të na drejtojë nëpër këtë udhëtim poetik e transformues.

Mbrëmja poetike mbahet më 6 mars, në Menzën “Ramiz Sadiku”, në ora 20:00. Hyrja është me pagesë (3 euro). / KultPlus.com

Të ngjajshme