29 Dhjetor, 2021 - 11:49 am
Asaj që s’ban asgja
Ajo rri ulun përballë
me duer të kryqëzueme,
me kambën mbi kambë.
Ajo nuk ban asgja,
e rreth saj lëviz gjithçka:
gjethet e pemëve,
mbulesat e tryezave,
gotat,
kamerierët,
klientët,
lypsat;
pastaj:
shitësi i farave;
mandej:
shitësi i cigareve;
tevona:
shitësi i kikirikave.
Ajo s’ban asgja.
Lokali zien,
oborri ushton,
trotuari vlon,
rruga gumëzhin prej veturave;
brenda e jashtë meje bota në lëvizje,
vetëm ajo s’ban asgja.
Ajo rri si lëvizësi i palëvizshëm.
Unë nisem drejt saj
për me ba diçka,
për me ba gjithçka
për bukurinë që s’ban asgja.
(Nga libri i ri i Ag Apollonit që këtë javë del nëpër librari)./KultPlus.com