At Gjergj Fishta në Kongresin e Manastirit: O burra shqyptarë, po a me të vërtetë do t’i lamë marre vedit para të gjithë botës

12 Qershor, 2022 - 11:15 pm

Njëri nga pjesëmarrësit e Kongresit të Manastirit, At Gjergj Fishta, pati ndikim të fuqishëm në unifikimin e alfabetit të shqipes, të cilin e përdorim tash e mbi 100 vjet.

At Fishta duke e rikujtuar Ditën e Alfabetit të Shqipes, shkruante:

“Ishim nga të gjitha skajet e Shqipnisë dhe të kolonive shqiptare ndër dhena të hueja. U treguam me të vertet shqiptar sepse kurnjani nuk donte me i lëshue asnji fije penit nga mendimi i vet atij tjetrit. Kongresi duhej të shpërndahej pa marrë kurrnji vendim.

– U terbova nga inati, U çova në kambë e u fola: – O burra shqyptarë po a me të vërtetë do t’i lamë marre vedit para të gjithë botës?

– Po a mendoni ndopak se çka do t’u thomi shqyptarëve kur të na pvesin se çka keni ba ju dijetarët atje në Manastir?

– Çka do t’u thomi na njerzve të pashkollë që nuk dijnë as me shkrue as me këndue?… Na jemi që mendojmë me ba Shqypninë e si do ta bajmë atë kur na nuk duem me u marrë vesht ndërmjet vedit se si duhet me u shkrue germa A e ajo I?

– Burra po u flas me zemër në dorë se asht marre e turp e faqe e zezë me i lanë marre vedit para popullit shqyptar e para tanë botës, që pret dishka prej nesh e na të kthejmë pa kurrgja në dorë ndër shpija tona.

– Po ulnju burra, ulnju sheshit e pse të kalojmë edhe nji ditë ma shumë në kët vend, mos ta lamë duerbosh popullin që na pret!…

– Aferim! P.Gjergj!… Aferim të kjoftë, . bërtiti më të madhë një hoxhë me mjekërr. Ai u çue në kambë e e erdh drejt te un, e më puthi në ballë e më tha: – Kështu flet shqiptari që e di që asht shqiptar!…

Ulnju burra, – u tha, – ulnju këtu në shesh të zgjedhim një komisjon e në krye të vemë Pader Gjergj Fishten e vetëm komisjoni do të caktojë se shka duhet të bajmë sot-për të mirën e popullit shqiptar neser…

Fjala e tij u ndigjue me duartrokitje e më caktuen Kryetar të Komisionit të Kongresit të Manastirit, i cili do të delte bosh sikur mos të isjte tregue toleranca e eme që të pranojshm dy alfabete njiherit, atë të Stambollit që kërkonte Mit’hat Frashëri dhe kët që u vendos.

Kjo sjellje e eme në Kongres të Manastirit më ka kushtue mjaft shterjt në jëtë sepse Abat Doçi, të cilin un e përfaqsova në atë Kongres m’u idhnue e kur u ktheva më tha :Pater Gjergj, un të kam dijtë si nieri që nuk ban kompromis në jetë! …

Por Shqypnija nuk mund të bahej ndrysh…”

Nga Gjergj FishtaKultPlus.com

Të ngjajshme