‘…ata që predikojnë zotin kanë nevojë për zot, ata që predikojnë paqen s’kanë paqe…’

16 Gusht, 2019 - 5:53 pm

CHARLES BUKOWSKI – GJENIU I TURMËS

Përktheu Beti Njuma

Ka kaq shumë pabesi, dhunë të pakuptimtë mbarsur me urrejtje tek qenia e rëndomtë njerëzore
sa për të ushqyer një ushtri çfarëdo në një ditë çfarëdo

dhe vrasësit shembullorë janë ata që predikojnë jetën
dhe përbuzësit shembullorë janë ata që predikojnë dashurinë
dhe përfundimisht luftëtarët shembullorë janë ata që paqen predikojnë

ata që predikojnë zotin kanë nevojë për zot
ata që predikojnë paqen s’kanë paqe
ata që predikojnë dashurinë s’kanë dashuri
kujdes nga predikuesit
kujdes nga të dijshmit 
kujdes nga ata që lexojnë gjithmonë libra
kujdes nga ata që e urrejnë varfërinë
ose janë krenarë për të
kujdes nga ata që janë kurdoherë të gatshëm për lavde
ngase në këmbim lavde duan
kujdes nga ata që aty për aty të çensurojnë 
kanë frikë nga ajo që s’dinë
kujdes nga ata që kërkojnë vazhdimisht turmën; vetëm janë askushi
kujdes nga burrat e rëndomtë dhe gratë e rëndomta
kujdes nga dashuria e tyre.
dashuria e tyre është e rëndomtë
synon mediokritetin

por urrejtja e tyre është gjeniale
është përtej gjeniales urrejtja për të t’vrarë
për të vrarë çdokënd
duke mos e dashur vetminë
duke mos e kuptuar vetminë
do të rreken të shkatërrojnë gjithçka
të ndryshme nga ata
duke mos qenë të aftë të krijojnë art
ata s’do ta kuptojnë artin
dështimin e tyre si krijues do ta konsiderojnë
veç si dështim të botës
duke mos qenë të zotët të dashurojnë me shpirt
do ta quajnë dashurinë tënde gjysmake 
e mandej ty do të t’urrejnë
dhe urrejtja e tyre do të jetë e paarritshme

si një diamant vezullues 
si një thikë 
si një mal
si një tigër
si një kukutë

arti i tyre i përkryer.

Të ngjajshme