Atë Gjergj Fishta vazhdimtar në mendimin e kombit

30 Maj, 2020 - 7:58 pm

Nga: Lasgush Poradeci

Nëpërmjet poetit të madh Lasgush Poradeci vjen një moment mjaft mbreselënës komunikimi midis dy madhorëve. Në këtë fragment të ai ka përshkuar edhe një takim me Atë Gjergj Fishtën. Ndiqeni, është mjaft emocionues:

Vepërimi krijimtar i Gjergj Fishtës, i këtij krijimi kombëtar të vetëdijshëm prej kombësisë shqiptare së pavetëdijëshme, është ay i endjes, së pari, nëpër Purgatorin e vetëvetes spatronjës, ay i faljes në Adhurimtoren e Mendimit të Kombit.

Si një kushtrimtar i vyer për punën e kushtimit të tij, m’a pat bërë Fishta, vetë ay me gazin e fjalës së vet, këtë Apokalipsë të madhe shqiptare. Vajta t’a shoh rishtas më 1937, në Shkodër në Kuvend. S’e gjeta… Ardhi më mori… Folmë mi mjeshtëri të vjershës në atë tryezë përallore.

Në librën t’ime të falur, i kisha shkruar pjesën e njëqindtë nga ç’desha:
Njeriut të Zotit meditans dhe
militans,
Burrit shqiptar përfaqësonjës,
Më të madhit epik të shekullit.

Si shpërblim fisnikërije për këtë të vërtetë, Fishta më përkëdheli toskërisht: “Lasgush, unë mirë të lexoj, mirë kuptoj. Ajo mënyrë e brëndshme është mundim, vojtje. Edhe unë do të mundnja të shkruaj ashtu, veç se druhem…”. “Pater, shkruaj pasi e kam mundur dhëmbjen dhe vojtjen, passi jam pastruar- në kujtim…”. Atëhere Fishta pohoj dyke u zbuluar: “Vërtet, kam bërë unë kështu me Oson, Alinë, Hajrijen…”.
M’a shpjegoj pastaj i çelur në zemër atë vepërim kurreshtjeje të fshehtësirave të punëtorisë vjershëtore, që është fshehtësija e forcës dhe e fuqisë së racës shqiptare, atavizma dhe dinamizma e gjakut shqiptar, Frymë, Parim, Fjalë e përjetëshme e Mendimit të Kombit. /KultPlus.com

Të ngjajshme