Atë Shtjefën Gjeçovi, mbledhësi e sistemuesi i ‘Kanunit të Lekë Dukagjinit’

12 Korrik, 2023 - 11:51 am

Më 12 korrik të vitit 1874 u lind Shtjefën Gjeçovi, veprimtar, atdhetar, studiues, mbledhës dhe sistemues i veprës madhore, kombëtare “Kanuni i Lekë Dukagjinit”.

Atë Shtjefën Gjeçovi lindi në Janjevë të Kosovës në një familje thellësisht katolike. Gjeçovi ishte vetëm 10 vjeç kur veshi rrobën e fratit. Vijoi mësimet në Troshan, Fojnicë, Dërventë, Kreshevë, në Bosnjë-Hercegovinë, ku është përgatitur një pjesë e mirë e françeskanëve shqiptarë, ndërmjet të cilëve dhe Fishta. Nisi të interesohej për gjithçka kishte të bënte me historinë e popullit të tij.

Kulmin e krijimtarisë e arriti në vitet 1900, kur u bë i pranishëm në të gjitha fushat e kulturës e të arsimit.

Shkroi në të tria gjinitë letrare, mblodhi këngë, përralla, mite, doke e zakone popullore e, mbi të gjitha, atë që do ta bënte të pavdekshëm, “Kanunin e Lekë Dukagjinit” monument i gjuhës e i kulturës së kombit shqiptar, për të cilin Universiteti i Lajpcigut i dha titullin “Doktor i shkencave in honoris causa”.

Në vitin 1920 mori pjesë në luftën e Vlorës kundër pushtimi italian.

Ka shkruar drama dhe vepra të tjera si: “Dashuria e Atdheut”, “Jeta e Shën Luçisë”, “Agimi i Qytetnisë” e të tjera.

Më 13 tetor të vitit 1929 bandat vrastare të Nikolla Pashiqit i kishin organizuar një pritë dhe e vranë në Zym, afër Prizrenit, për shkak të aktivitetit të tij atdhetar./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme