16 Prill, 2018 - 3:32 pm
Në Ditën Ndërkombëtare të Librit më 23 prill, në kuadër të projektit Kultura për Ndryshim, Qendra Multimedia dhe Insituti Goethe organizojnë lexim publik në Prishtinë, në hapësirën e Qendrës Multimedia.
Autorët që do të lexojnë janë: Arbër Selmani, Ardiana Shala, Edi Shukriu, Genc Kadriu, Sibel Halimi.
Pas leximit mbrëmja do të shoqërohet me muzikë të përzgjedhur nga grupi String String.
“Mirëpriten të gjithë dashamirët e librit e sidomos të rinjtë, nxënësit dhe studentët”, thuhet në njoftim.
23 prilli është ditë simbolike e literaturës botërore.
Kjo datë është caktuar si dita ndërkombëtare e librit nga UNESCO në Konferencën e Përgjithshme të mbajtur në Paris në vitin 1995, për t’i çmuar librat dhe autorët, duke i inkurajuar të gjithë e posaçërisht të rinjtë që të zbulojnë kënaqësinë e leximit dhe të respektojnë kontributin e atyre që kanë ndihmuar në zhvillimin shoqëror dhe kulturor të njerëzimit.
***Projekti Kultura për Ndryshim, menaxhohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe zbatohet nga Qendra Multimedia dhe Goethe-Institut***