Autorët shqiptarë në Panairin e Leipzigut, rrëfejnë pengjet dhe temat e krijimtarisë së tyre

18 Mars, 2018 - 11:20 am

Për herë të parë në Panairin e Leipzigut, Shqipëria prezantoi autorët shqiptarë në stendën shqiptare. Këtë stendë e ka vizituar edhe ministrja, Mirela Kumbaro, ku së bashku me disa autorë shqiptarë kanë zhvilluar një diskutim me temën “Letërsia shqipe me/pa kufi”, shkruan KultPlus.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro gjatë qëndrimit tek kjo stendë theksoi se stenda shqiptare është një stendë e kulturës.

“Kur flasim për integrimin evropian kultura është ajo që na përfaqëson me se miri, e cila luan edhe rolin e promotorit politik dhe ekonomik ne integrimin evropian. Anëtarësimi në TRADUKi është një nga promotorët e integrimit”, ka thënë Kumbaro.

Diskutimi u mbajt nën moderimin e Mimoza Hysës, e cila tha se koncepti i përfaqësimit të letrave shqipe në këtë panair është krijimi i hapësirës së dialogut gjithëpërfshirës.
“Letërsia na ndihmon për të rrëfyer izolimin e pazakontë dhe tranzicionin e gjatë për të kuptuar veten dhe tjetrin. Ndaj në të njëjtën stendë shqiptare përfaqësohemi me shkrimtarin Ismail Kadare dhe Kasëm Trebeshinën, për një dialog të hapur”, ka thënë ajo.

Tre shkrimtarë, të ndryshëm nga njëri tjetri rrëfyen pengjet dhe temat e krijimtarisë së tyre, ndërsa një pyetje që u ngrit atje për autorët është “Kush përfiton më shumë: ai që ikën, apo ai që rri?”.

Thanas Medi emigrant në Greqi prej shumë vitesh rrëfeu ngulmimin që e kishte shtyrë të rrëfente historinë e një pakice të harruar: vllehët. Historia e popullit endacak që ngrinte kasollet buzë lumenjve, ku në një te tillë kishte lindur dhe vetë, historia e ruajtjes së një kulture me tradita, rite të çuditshme. Këngë e shumë magji. Për Thanas Medin shtegtimi dhe lëvizja bëhet për një jetë më të mirë dhe është rritje e njeriut.

Gazmend Kapllani rrëfeu për një tjetër shpërngulje të dhimbshme, atë të emigrantit. Dhe obsesionin e tij për kufijtë: ata të dukshëm dhe ata të padukshëm. Për Gazmend Kapllanin bota nuk mund të jetojë pa emigracionin, pa njohjen me tjetrin që vë në provë gjithsecilin. Kush përfiton më shumë pastaj është pyetje një milion dollarëshe.

Udhëtimi i Manjola Nasit është “Një udhëtim e gjysmë” është shtegtim në kohë Është Fari, syri i madh që sheh e ruan të gjithë që shkojnë e vijnë pa lëvizur.

Pjesëmarrës në stendën shqiptare ishin Ministri i Kulturës së Maqedonisë, Robert Alagjozovski, Ministri i Kulturës së Malit të Zi, Aleksandar Bogdanović, drejtoresha e rrjetit Traduki, Antje Contius, përfaqësues nga Kultur Kontakt dhe Ministria e Kulturës së Austrisë, etj./ KultPlus.com

Të ngjajshme