Autori shqiptar Besim Xhelili prezanton para austriakëve romanin “1803”

16 Shtator, 2018 - 7:00 pm

Besim Xhelili, autori shqiptar nga Tetova, i cili që nga viti 1998 jeton dhe punon në Vjenë të Austrisë, dje ka prezantuar romanin e tij me titull “1803” në Muzeun e Bashkisë Mödling. Ky roman, si pjesë e parë e një trilogjie me po të njëjtin emër, u botua në shqip në vitin 2016, kurse në janar të këtij viti edhe në gjuhët gjermane dhe suedeze, përcjellë KultPlus.

Me ftesë të Shoqërisë Letrare Mödling, dhe nën udhëheqjen e kryetares Nicole Fendesack, në Muzeun e Bashkisë Mödling “Thonetschlössl”, u mbajt një orë letrare me shkrimtarin dhe poetin shqiptar nga Tetova Besim Xhelili, i cili prezantoi para një publiku të konsiderueshëm, artdashës dhe adhurues të librit, romanin e tij me titull “1803”.

Këtë aktivitet me vlera letrare e hapi vetë kryetarja Fendesack, e cila pasi dha disa informacione mbi historikun e Shoqërisë Letrare Mödling, tregoi për aktivitetet dhe programin e planifikuar për këtë tremujor të fundit të këtij viti. Më pas ajo tha se ndjehet e gëzuar si mysafir kanë një autor siç është Xhelili, i cili premton shumë me krijimtarinë e tij të bujshme dhe shumë laramane, duke pasur parasysh që ai ka shtatë vëllime me poezi dhe një roman në gjuhën shqipe, porse ai tash ka bërë hapin e madh, duke na ofruar këtë roman në gjuhën gjermane dhe atë suedeze. Ajo dha disa njohuri biografike mbi shkrimtarin Xhelili dhe recitoi për të pranishmit një poezi nga ai, duke e shpallur kështu të hapur këtë pasdite kulturore.

Shkrimtari Besim Xhelili falënderoi Shoqërinë Letrare Mödling, kryesinë dhe vet kryetaren për ftesën dhe mundësinë që ai të prezantojë romanin e tij para lexuesve dhe dashamirësve të librit të Bashkisë Mödling.

“Ndjehem shumë i gëzuar dhe i nderuar të jem sot këtu në mesin tuaj, si mysafir i Shoqërisë tuaj, e cila ka tashmë një historik dhe një veprimtari prej më shumë se 80 vjet. Falënderoj të gjithë të pranishmit, miqtë e shumtë për përkrahjen dhe natyrisht lexuesit që përcjellin krijimtarinë time”, ka thënë në fjalën e tij autori Xhelili. Më pastaj ai rrëfeu pak për përmbajtjen e romanit në fjalë, pa u futur në detaje, si dhe lexoi disa fragmente nga po ky libër. Në fund pati një bisedë të ngrohtë me të pranishmit, të cilët morën nga një libër dhe i bënë pyetje autorit. Ishte kërkesë e madhe të njihen me atë se çka do të thotë titulli “1803”, por autori tha se kjo do të zbulohet në pjesën e tretë të romanit.

Përndryshe Besim Xhelili ka prezantuar tashmë romanin e tij në disa vende të tjera në Europë si Gjermani, Zvicër, Greqi, Suedi dhe në vendet autoktone shqiptare. Recensionin e ka bërë kritiku i mirënjohur Prend Buzhala, kurse përkthimin në gjermanisht Kurt Gostentschnigg dhe atë në suedisht Ullmar Qvick. Autori ka shpresë që deri verën e ardhshme të arrijë të mbarojë dy pjesët e tjera të romanit, kurse ka në proces edhe disa vëllime me poezi. Ai është anëtar i PEN Qendrës Austriake, i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë dhe ka marrë pjesë me disa krijime në disa antologji në shqip dhe në gjermanisht./ KultPlus.com

Të ngjajshme