Autorja shqiptare i prezanton publikut zviceran librin e saj mbi Kosovën

29 Shtator, 2020 - 9:38 pm

Të Premten, 2 Tetor, në orën 19:00, Biblioteka e Qytetit St.Gallen organizon një lexim publik me Basrie Sakiri-Muratin, autoren shqiptare të librit në gjuhën gjermane “Bleibende Spuren” (Gjurmë të përhershme).

Këtë njoftim, bashkë me një portret të autores nga Kosova, e cila prej shumë vitesh jeton në Zvicër, e ka publikuar portali nau.ch.

“Basrie Sakiri-Murati u politizua shumë herët. Si nxënëse e shkollës së mesme, në fund të viteve 1980, ajo ishte e përkushtuar për një “Republikë të Kosovës”, transmeton albinfo.ch.

Këto ishin kohë të trazuara kur kishte protesta të vazhdueshme kundër qeverisë serbe, e cila u përgjigjej me dhunë.

Aktivistët politikë janë përballur me përndjekje, burgosje dhe tortura. Edhe autores së këtij libri i qe dashur të fshihej bashkë me ilegalë të tjerë për javë të tëra, pranë bashkëveprimtarëve ose në pyll.

Kur situata u bë tepër kërcënuese, asaj iu desh të ikte: në Zvicër – shumë larg shtëpisë, familjes dhe të gjithë miqve të saj.

albinfo.ch vitin e kaluar ka zhvilluar një intervistë të zgjeruar me zonjën Sakiri-Murati.

Libri i saj “Bleibende Spuren – ein Weg vom Kosovo in die Schweiz» (Gjurmë të përhershma – Rruga ime nga Kosova në Zvicër), botuar në vitin 2019, bazohet në ditarin që ajo mbante asokohe në Kosovë.

Në pjesën e dytë të librit, Sakiri-Murati tregon për jetën e saj në Zvicër, transmeton albinfo.ch. Është një raport prekës, i butë, por ndonjëherë edhe i zemëruar rreth një jete midis dy botëve, dy kulturave.

Autorja lexon pjesë nga libri i saj në dhomën e letërsisë dhe flet me ndëmjetësen letrare Eva Bachmann lidhur me prapavijën e librit. Hyrja është falas.

Basrie Sakiri-Murati ka lindur në Kosovë në vitin 1971. Në qershor të vitit 1989 ajo ka emigruar në Zvicër për shkak të aktiviteteve politike.

Sot ajo punon si përkthyese e akredituar për autoritetet gjyqësore dhe institucione të ndryshme shoqërore dhe gjithashtu si asistente e praktikës mjekësore, përcjell albinfo.ch. Basrie Sakiri-Murati jeton me dy fëmijët e saj në Bernë./ albinfo.ch/ KultPlus.com

Të ngjajshme