Ballsor Hoxha rreth romanit “Bora dhe unë”: Më nuk jemi njerëz, jemi teknologji, jemi teknologji që ecën

22 Nëntor, 2024 - 1:00 pm

Bisedoi: Kadia Dedja

Ka pak kohë që është në duart e lexuesit libri juaj i fundit “Bora dhe unë”, botuar nga shtëpia botuese “Onufri”. A mund të na thoni, si erdhët në këtë roman? Në parathënie rrekeni ta shpjegoni, madje thoni edhe se ndoshta e keni shkruar herët…

Ballsor Hoxha: Për t’ju përgjigjur, së pari, po ju tregoj për një lloj alibie timen. Janë dy filozofi shkrimtarësh që më udhërrëfejnë në shkrimet e mia: kurrë mos shkruaj për gjërat që nuk i ke përjetuar (Márquez); dhe tjetra: unë gjithmonë shkruaj për veten, para se ta kem ndryshuar një udhë të jetës sime, për një Ballsor që ka mundur të marrë rrugën e asaj që flitet në këtë roman (një lloj parafrazimi i Milan Kunderës). Kjo është një kundërshti, paradoks, por që në të vërtetë e përshkruan çdo shkrimtar në punën e tij, edhe nëse shkruan për sci-fi apo për dinozaurë etj.  

Në romanin “Bora dhe unë”, një Ballsor (gjithnjë brenda fiksionit), personazhi kryesor, rreket e nuk mund ta shpjegojë dhe as nuk e di nëse është duke shkruar shumë herët, sepse vuan zhdukjen e identitetit, zhbërjen e tij (apo, thënë saktë, vuan atë që në termat mjekësorë ndërkombëtarë njihet si Dissociation Identity Disorder).  

Është një pyetje që më ka vërshuar, rrëmbyer në tërësinë e tërë kësaj që po ndodh me ne, njerëzimin, e prej të cilës kam ardhur në këtë roman. Sa tmerrohemi sot, kudo, se kush jemi? Saktë, është zhdukur, është zhbërë identiteti, jo ai patriotik, apo etnik, në të vërtetë, paradoksalisht, njeriu po rreket në këto dy identitete, është kapur si në fije bari, për të mos vërejtur që ka humbur identitetin njerëzor. Që më nuk jemi njerëz. Që jemi teknologji, jemi teknologji që ecën, teknologji në formë të njerëzve që duket bukur!

Andaj të shkruarit e romanit ka qenë një lloj biografie e kohës së njeriut në këtë humnerë ku kemi rënë. Jam unë, por je edhe ti, besoj fuqishëm. Po ashtu, besoj fuqishëm që jemi të gjithë. Janë vetë psikiatrit, psikologët, hoxhallarët dhe priftërinjtë, është edhe vetë Ajnshtajni. Në të vërtetë, po ky, Ajnshtajni, ka humbur identitetin e tij në historinë e tij ku është (shih për këtë filmin “Oppenheimer”, të para disa viteve). Jemi një karneval shëmbëllimesh të njeriut, ku askush nuk e di kush është.  

Dhe kjo më ka bërë të fiksohem me këtë fenomen të zhbërjes së identitetit të njeriut, përballë pasqyrës, pamundësisë për të parë një fytyrë aty, e pamundësisë për të njohur veten përballë IA (AI), pamundësisë për të ndier emrin tonë. Për këtë them, përfshirë Ajnshtajnin, jemi të zhdukur identiteti.

Sa i përket pjesës së dytë të pyetjes sate: Shpejt? I ngutur “Bora dhe unë”? Për besë, më duket se është vonë romani “Bora dhe unë”. Tanimë nuk njihemi në këtë pirg kufomash identiteti. Por, kjo ngutje të cilën e thotë narratori në hyrje, për të cilën me të drejtë pyesni edhe ju, ka të bëjë me atë gjendjen që e dinë vetëm “ata që shkojnë rrugës në të cilën rrallë shkohet” e që është kthimi dhe zbulimi i vetes, nisur nga rënia në humnerën e botës, e vetmisë galaktike, e cila, si te Nietzsche, është ngjitur nga fundi i së tërës dhe po na shikon. .

Libri është i shkruar në vetën e parë, po ashtu narratori thotë në hyrje se ka shkruar historinë e tij. Desha t’ju pyes për elementet autobiografike në roman. Sa është dhe sa nuk është historia juaj?

Ballsor Hoxha: Sa i përket vetës së parë, unë gjithmonë shkruaj në vetën e parë. Jam magjepsur nga përdorimi i kësaj vete te shkrimtari japonez Yasunari Kawabata (aq më shumë, edhe Murakami flet për këtë teknikë). Në vetën e parë më duket se jemi më afër unë dhe lexuesi. Jemi dhe ndajmë së bashku, se në një transhendentale, gjithashtu galaktike, ndan edhe lexuesi me mua. Pra, vjen nga dëshira për të arritur deri te lexuesi dhe që lexuesi të arrijë tek unë. Me një fjalë, të gjendemi, të gjejmë njëri-tjetrin, bashkë. 

Para se t’i përgjigjem pyetjes për elementet biografike, do të doja të pyes, përballë një aure strehuese dhe fuqizuese të zërit të shkrimtarit, kjo aq me rëndësi në kohën tonë, posaçërisht me guximin për vepra si kjo, e që është “Onufri”, shtëpia botuese, si dhe këtu në “KultPlus” që gjithherë më ka ofruar mundësi. Pra, do të doja të pyes, humnerat të cilat kanë ardhur nga thellësitë e tmerreve më të mëdha, siç është vuajtja e personazhit kryesor këtu, pastaj, gjithnjë duke buruar nga ky roman, edhe pyes si është të mos mund të duash fëmijën tënd nga ankthi për ardhmërinë, thënë më saktë për zhdukjen e një ardhmërie siç e kemi njohur, pastaj po nga ky tmerr të pyesësh veten çka të bësh me fëmijën tënd të lindur apo nëse të është dashur ndonjëherë fëmija që ke? Apo nëse familja është dashuri, motivim e strehë e njeriut etj.? Cila, në të vërtetë, është biografia ime, e jotja, e të gjithëve: zhdukja e identitetit, huqet, skizofrenia, psikopatia, ndaras dhe e veçantë secila gjëmë psikike etj.?

Në të vërtetë, do të doja të pyes nëse biografia ime, e narratorit, e Ajnshtajnit (nuk e di pse po e përsëris tërë kohën Ajnshtajnin, kur kemi një Oppenheimer, gjithnjë këto menduar si shaka), biografia e kujtdo është të qenët kohë pas kohe, e kohë të shumta, në fund të botës, me plagët që luhen në mua/ në ne, përballë meje/ teje, e jashtë meje/ teje, qoftë në ëndrra, symbyllur e syçelë, që herë pas here përfshijnë gjithë galaktikën; apo nëse tërë biografia e çdonjërit prej nesh është një zyrë në skaj të vendit ku jeton, ndonjë shkrim aty-këtu, ndonjë ethe ngazëllimi më shumë e imagjinuar se e ndodhur; dhe pastaj, edhe marrëdhënia agresive-pasive me të gjithë ata që themi se i duam, e aq më shumë që i kemi të shenjtë, e që aq më shumë çdo gjë na mëson se po këta janë të shenjtë për ne, e ne për ata, por që në fund është vetëm një scroll i vetmuar nëpër jetët e të tjerëve në rrjete sociale; pastaj ikja në pornografi; në krim e në zaptim, edhe të lirisë së vajzës sate, edhe në urdhërim të jetës së vajzës sate, edhe në martesë të dhunshme të vetë vajzës sate etj. Një jetë ku e tëra përmblidhet në një gjumë pak më të rehatshëm, nga ëndrrat për çdo gjë, për të tërën, e cila gjithmonë, gjithnjë, është diku tjetër.

Unë pyetjes suaj rreth përkatësisë së historisë ku fliten këto që i ceka në romanin “Bora dhe unë” i isha kundërpërgjigjur: sa është kjo historia jote, e tjetrit, e të gjithëve ne. Në fund, për këtë arsye shkruaj në vetën e parë.

Personazhi vuan nga një çrregullim emocional. Sa e vështirë ka qenë për ju që të shkruani për këtë dyzim të botës së brendshme?

Ballsor Hoxha: Bota e brendshme, nga historitë e mia, personale dhe imagjinare, është pafundësi botësh. Një galaktikë, univers botësh brenda botës sonë.

Tërë ajo që më është dashur të bëj për të shkruar, jo vetëm për një çrregullim emocional, psikik, të personazhit të romanit, ka qenë të ndiej për këtë brendësi, të ndiej për këtë botë, për pikërisht këtë pafundësi botësh.

Çdo njeri duhet ta dijë, dhe edhe psikologu më fillestar e di se nuk kalohet nëpër “rrugën që rrallë shkohet” pa e ruajtur pikërisht këtë pafundësi botësh të brendshme brenda secilit njeri.

Si i qaseni patria-s në veprën tuaj dhe çfarë simbolizon ajo për ju për sa i përket identitetit dhe përkatësisë?

Ballsor Hoxha: Sipas asaj që kam lexuar, fjalë për fjalë, patria do të thotë atdhe. Apo nga këtu ka dalë kjo zanafillë. Pastaj ka dalë patriarku, si shpërthim rrënjësh të hekës sonë. Hekakeq, që e quajmë njeri.  

Në dyndjet, migrimet e mia galaktike apo që nuk janë asgjë tjetër përpos profesion shkrimtari që ndien për këtë botë, që po humbet në oborrin e vet, imagjinoj shumë shpesh Van Gogh-un duke e vëzhguar këtë pafundësinë e botëve të brendshme të tij, përmes pikturës së tij. E shoh të gjallë, në këtë profesion timin, që ndër të tjera është edhe skizofreni (e menduar si ironi këtu!) dhe gjithnjë përfundoj, po sikur piktori i madh, në rrënjët, siç e ka emëruar edhe pikturën e tij të fundit Gogh-u. Është një humnerë rrënjësh, të humbura në njëra-tjetrën, në dhunën e natyrës, në “pavetëdijesinë” e saj të qeniesimit. Por, mbi të gjitha, e shoh Gogh-un duke qëndruar i pandihmë në galaktikën e tij dhe i vetëdijesuar për këtë pazgjidhshmëri rrënjësh.  

Do të doja të ndaloja në raportin që ka personazhi me vajzën e tij. Marrëdhënia baba-vajzë e shpalosur në libër është unike, një lidhje sa e brishtë aq edhe të fortë. Është pika e tij më e fortë, njëkohësisht ka frikë ta dojë. Na flisni pak më shumë rreth këtij raporti.

Ballsor Hoxha: Themi çdo gjë, dhe atë sa më shenjt, në kërkim të së shenjtës, kur flasim për dashurinë. Por, e shmangim, e bëjmë të pavërejtur ankthin me të cilin ajo është rrënjësisht e kurthuar. Shmangim “urrejtjen” me të cilën dhe për shkak të së cilës e kemi shpikur dashurinë.

Heidegger-i, filozofi, thotë se te njeriu ka vetëm Kujdes! dhe kjo më ka shtyrë të mendoj se dashuria është diçka të cilën ende nuk e njohim (jo që nuk e kemi mësuar, por që nuk e njohim), as nuk e perceptojmë, as gjykojmë dhe as nuk kemi vetëdije aq sa duhet për atë, jemi shumë të pazhvilluar krahas saj. Profesori dhe filozofi Nehat Sadiku, i ndikuar nga Heidegger-i, po ashtu, thotë: “Ne ende duhet të mësohemi të mendojmë, që do të thotë jemi aq larg.” Dhe, vazhdon ai: “Duhet të gjejmë atë që na shtyn të mendojmë, e që them unë, është të gjejmë edhe atë që na shtyn të dashurojmë!”

Dhe unë i jam dhënë përpjekjes në këtë roman që vajzën e personazhit kryesor, të cilën e don si njeriun e vetëm të mbetur në këtë botë, dhe po ashtu nga tmerret që vuan ikë prej saj tërë kohën, kam dashur ta paraqes dashurinë pikërisht në nj ëlraport të një prindi me vajzën e tij, pikërisht ashtu siç është dashuria: përplot ankth, tmerr (në pandihmëshmërinë tonë njerëzore, sidomos në këto kohë), dhe, po ashtu edhe si shpëtim e aurë strehe. Të gjitha së bashku, një natyrë e egër, siç është njeriu, e rrënjëve.   

Një detaj tjetër që shfaqet në libër është “macja e zezë”. A përfaqëson diçka të mbinatyrshme apo është më shumë një simbol psikologjik në roman?

Ballsor Hoxha: Prapë, po flas nga këndi i këtyre transhendencave, galaktike, kam vuajtur shumë si fëmijë pse askush nuk i do macet e zeza. Pse janë të përfshira në të gjitha tabutë, tmerret, në ankthet dhe ndalesat e njerëzimit, gati apo ndoshta në të gjitha mentalitetet dhe kulturat. Kjo vuajtje, duke vëzhguar pikturat e mia, e që janë këto transhendenca, puna ime si shkrimtar më ka dhënë të kuptoj se ne, njerëzit, në pamundësi të interpretimit të tjetrit, ndryshe, të vetes qoftë, kur jemi ndryshe, ia ndalojmë pra vetes dhe tjetrit tërë atë që jemi e janë, duke e besëtytnuar në gjithfarë fiksionesh dhe tabush.

Dhe, duke e pas ushqyer këtë vuajtje timen ndaj maceve të zeza, që ndoshta është saktë vetë vuajtja ime, apo mund të shqipërohet edhe kështu, unë kam tentuar të bëj, të gjej një zgjidhje për to, si fëmijë, por edhe tani. E ato, si në romanin “Bora dhe unë” ndihmojnë të hipësh në qiell./ KultPlus.com

Të ngjajshme