Hapësirat me bar natyral i zëvendësuan me bar artificial.
Mëmëdheun e ngopëm dhe e zbrazëm me Bar Hashashi.
Edhe bariu më i mirë sot e ka mendjen te telefoni dhe jo te bagëtia në mal.
Bariumin e shitëm në Azi, pastaj e blemë prapë ne si fshishkezZarre.
Barin e bletës e blejmë në Bullgari, ndërkohë ka me shumicë në Shqipni.
Bari – Durrës dhe e kundërta, emigrantët gjumosen ende nëpër korridoret e trageteve me jastëkun prej valixheje.
359 persona e kanë emrin Bari në Shqipëri, ku 3 prej tyre janë gra.
985 gra dhe vajza po në Albani quhen Barie. Në të vërtetë Bariu i vetëm është Krishti.
Pensionistët janë kategoria që ndikohet më shumë nga blerja e barnave pa udhëzues dhe u duhet të mjaftohen me shpjegimin e shkurtër që u jep farmacisti në momentin e blerjes së barit, i cili të gjithë shpjegimin e ka në gjuhë të huaj (Përjashtim bëjnë medikamentet e prodhuara në vendin tonë).
Muzika baritore, vazhdon të jetë helm për armikun që luftohet me çifteli dhe valë satelitore.
Prit gomar të mbijë bar! Gomari vazhdon të jetë i paragjykuar sepse punon shumë, është i dashur, i bukur, ka qumësht sherues, bërtet bukur, por edhe veglat i ka si emri Isa Boletini: të rënda.
Bari molës dhe bari i miut vazhdojnë të kenë erë dhe shije të mirë te ne. Me të parin helmohen fëmijët, me të dytin të rriturit.
Njësia e matjes së shtypjes atmosferike që matet me Bar, është Shtypje 1 bar. Këtu te ne nuk e ndjen më kush këtë gjë sepse jeta për këta është vetëm vetja.
Bari, është shpend notues, me pupla ngjyrë kafe, me sqep si të pulës, që jeton nëpër këneta dhe ushqehet me peshq të vegjël. Nuk e di pse nuk kundërmon më era peshk!
Baritoni më i mirë në lagjen time mbetet Hoxha. Por ai nuk e kapi kurrë klasin e ezanit të xhamive në Prizren.
Në fuckt, asnjë parim nuk kemi shkelur deri tani, ecim…
Reflektim dialektik nga kjo shkelje e shpejtë shputash mbi bar natyral /KultPlus.com