8 Gusht, 2019 - 6:00 pm
Rrona Jaka
“Kam mbjellur fidanin tim në fushën e gjerë me lule që ka letërsia shqipe e ndërkombëtare”, kështu është shprehur Bardhyl Oseku në promovimin e librit të tij të parë.
Vëllimi i tij poetik “Ngarendje” është konsideruar nga miku dhe njëherit autori i 40 veprave, Sejdi Berisha, si “përmbledhje poetike e cila i ngacmon dhe i prek të gjitha fushat e jetës dhe të ndjeshmërisë njerëzore”.
“Në këtë vëllim autori është gjithmonë në kërkim të vetes duke u kthyer kështu në një pelegrin të pafund. Si në rastet kur i drejtohet vetes, shoqërisë apo familjes autori është tepër i matur, por edhe kritik në të njëjtën kohë”, është shprehur kritiku dhe miku i autorit, Sejdi Berisha.
“Madhështia e vagut në këtë vëllim poetik nuk është vetëm te muzikaliteti që ka, por edhe te thellësia poetike dhe filozofia që Oseku shpreh në çdo varg të tij” ka theksuar Berisha.
Berisha gjithashtu ka sqaruar për të pranishmit që poeti nuk ka botuar poezi që nga viti 1965 kur i kishte botuar poezitë e para në revistat e gazetat e asaj kohe, duke u ankuar njëherit për mungesën e tij në pjesëmarrjen e krijimtarisë poetike si dhe duke e quajtur, pak si me përkëdheli, “Poet i vonuar”.
Urimeve dhe falenderimeve u është bashkuar dhe profesori i filozofisë – Bashkim Canhasi, i cili s’është kursyer ta krahasojë mikun e tjj me shkrimtarët më të mëdhenjë ekzistencialistë si Dostojevsi.
“Ka shumë arsye pse njerëzit krijojnë, gjithsesi arsyeja më e mirë gjendet në këtë libër. Me thellësi të tillë dhe me një njohje kaq të madhe sa ka Bardhyl Oseku, s’do mend që kjo vepër duhet të lexohet”, ka thënë Canhasi për vëllimin poetik “Ngarendje”.
Para se të merrte fjalën autori i veprës, të pranishmit kanë pasur fatin t’i dëgjojnë disa poezi nga ky vëllim poetik.
Në fund fare autori i veprës i ka falenderuar të gjithë bashkëpunëtorët dhe miqtë që e kanë mbështetur dhe kanë bërë të mundur realizimin e këtij vëllimi poetik.
Botimin e këtij libri e ka bërë revista “Drita”, kurse redaktore dhe recensente ka qenë Entela Tabaku.
Ky vëllim poetik përmban pesë cikle dhe është libri i parë i autorit Bardhyl Oseku. / KultPlus.com