30 Maj, 2018 - 6:17 pm
Kosovar BASHA
Esat Myftari, Profili politik i Esat Mekulit, Saga, Prishtinë, 2018, fq.230
Autori i librit tanimë është i njohur para opinionit shkencor dhe më gjerë për trajtimin e ngjarjeve dhe personaliteteve historike. Esat Myftari gjindej në Kampin e Ballshit i rrethuar nga ndjenjat e larta për vendin e tij kurr një ditë morri një nxitje prej shokëve që t’i dërgonte letër një personaliteti si Esat Mekuli. Për mbarështrimin e monografisë në fjalë autori u ndihmua fuqishëm nga literatura relevante historike si dhe nga biblioteka e pasur personale e Esad Mekulit. Meritë e autorit si në librat pararendës të tij është mënyra e veçantë e interpretimit të ngjarjeve historike në kontekst të rrjedhave historike. Është një formë që gërshetohet me një njohje edhe nga e kaluara e tij si diplomat pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë si njëri nga titullarët e këtij institucioni gjatë viteve 1992-1997. Esad Mekuli sipas autorit është njëri nga ato personalitete shkencore që në ditët e para të gjysmës së parë të shek.XX.
Në fillim të studimit bëhet fjalë për vendlindjen e Mekulit-Plavën. Familja e Mekulit, u vendos këtu edhe pse ishte me prejardhje nga Kelmendi. Popullaritet të madh familjes i dha Smajl Mekuli që në popull u njoh si Hoxha i Nokshiqit. Intelegjencia e babait të Esadit edhe pse klerik fetar, ndikoj fuqishëm në formimin e tij kulturor dhe intelektual. Ndikimi aq i fort bëri që ai të fillon shkollën fillore në gjuhën serbe dhe të përfundon me sukses në Berane. Në vorbullën e periudhës së viteve 30 të shek.XX tek sa Europa vlonte nga një ekstazë e vështirë e antagonizmave të fuqive të mëdha, djaloshi i ri u vendos në qytetin e Pejës të vijoj gjimnazin klasik në gjuhën serbo-kroate. Gjimnazi i Pejës ishte 8 klasësh dhe një të tillë aso kohë e kishte vetëm Cetinja. Në këtë mjedis të ri Esat Mekuli u përshtat shumë mirë, për shkak se ishte nxënës i zellshëm. Autori i monografisë më elokuencë na njofton për ndikimin që patën shkrimtarët e huaj të Esat Mekuli si gjimnazist. Në këtë kohë mbase fillojnë edhe sprovat e para të djaloshit të ri. Poezitë e para i paraqet si kushtim ndaj motrës së tij 3 vjeçare e cila ju nda nga jeta. “Aventurat“ e tij letrare të tjera në këtë periudhë janë edhe romani i tij i parë “Vendeta” (1928), ku për lexues të parë do t’i kishte shokët e tij Xhemal Kada dhe Ramiz Sadiku. Miqësia e familjes së tij me familjen Kada nëpërmjet martesës së motrës së tij me Rexhë Kadën do t’sillte afërsi të madhe me shokun e tij të ngushtë të shkollës Xhemal Kadën. Arratisja e Xhemalit në vitet 36-37, do ta pikëllonin Esatin. Korrespodenca e tij me Xhemalin për një periudhë u bë me letra.
Vdekja e këtij të fundit në luftën e Spanjës do ta shndërronte pikëllimin e Esatit në një dhimbje të madhe. Madje në fund të viteve 50 do t’ia kushtoj edhe disa vargje këtij leshkuqi simpatik e trim. Me përfundimin e gjimnazit Esati ishte i vetmi gjimnazist nga shkolla që filloj studimet universitare për veterinari në Beograd. Autori Esat Myftari na njofton se gjatë viteve të studimeve Esat Mekuli u fut në lëvizjen e majtë. Në vitet e para të pushtimit nazi-fashist Esati u burgos për disa ditë në Kullën e Sheremetit. Por nuk kaloj shumë kohë edhe ai u lirua nga burgu i italianëve. Këtej nuk kaloj shumë kohë dhe ai vazhdoj kontaktet me shokët e tij të vjetër nga Peja. Strehimi i tij në shtëpinë e Rexhë Kadës një tregtari të njohur pejanë dhe babait të Xhemalit do t’i ndihmonte si referencë për shkëmbim mendimeve dhe bisedave me shok të idealit si Nexhdet Basha ( inxhinier i pylltarisë ) dhe patriotit luftëtarit të Spanjës Emrush Myftarit. Pikërisht në këtë kohë ai fillon të shkruaj në gjuhën shqipe pasi deri në atë periudhë kryesisht shkruante serbo-kroatisht për shkak ndikimit të shkollës në gjuhë të huaj. Në vorbullën e luftës nacionalçlirimtare ai u bë redaktor i gazetës “Liria-Sloboda”. Padyshim se me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore në Kosovë, meritë e Esat Mekulit është edhe kontributi i tij në revistën letrare “Jeta e Re” ku drejtoj këtë revistë me mjaftë sukses. Një pjesë tejet interesante autori i librit i kushton Sehadete Doko-Mekulit gruas së Esadit. Mjeke me profesion dhe familje e njohur nga Ohri ajo u njoh me Esatin në vitin 1954. Dr. Sehadete Doko-Mekuli do të filloj të punoj në Spitalin e Prishtinës si njëra nga mjeket e para.
Çifti Esat dhe Sehadete u kthye në emblemë të Kosovës. Sulmet kundër doktoreshës së njohur do të vinin pas demonstratave studentore të vitit 1981 kurr ajo do të atakohej nga serbët si nacionaliste. Gjatë kësaj periudhe kemi një fushatë të papërmbajtur në Spitalin e Prishtinës në shtypin jugosllav kundër kësaj heroine. Kryeakuza kryesore ishte se Sehadetja “i sterilizonte gratë serbe dhe foshnjat e porsalindura serbe”. Më 06 korrik 1981 Sehadete Doko-Mekuli dha dorëheqje nga udhëheqja e Klinikës gjinekologjike. Kjo dorëheqje vinte si pasojë e një trysnie psikike 3 mujore nga serbët. Analizat e thella të autorit të librit na japin një pasqyrë mbi qëndrimet e Esat Mekulit ndaj demonstratave të 1981 si kryetar i Akademisë së Shkencave të Kosovës. Përball furisë së propagandës së egër Esat Mekuli do të mbrohej shumë mirë me argumente e analiza të qarta. Madje ai ishte tepër i matur në gjykimin e demonstratave në Kosovë gjatë kësaj periudhe. I vetëdijshëm për të gjitha pasojat do të theksonte “kam qenë shumë i zënë si kryeredaktor i Enciklopedisë së Jugosllavisë”për pjesën e Kosovës”. Pas vitit 1981 Esat Mekuli dhe Ali Hadri të dy pjesë e Enciklopedisë u ndodhën në trysni të hapur. Sigurisht që barra kryesore shkencore binte mbi prof. Ali Hadrin. Sulmet serbe ndaj ngjarjeve dhe personaliteteve historike shqiptare do t’a bënin Esat Mekulin aktiv në mbrojtjen e vlera më të lartë kombëtare shqiptare. Ndër të tjera ai do të shprehej “sa i përket rolit të individëve në historinë e një populli dhe vlerësimit të tyre në Enciklopedi, duhet marrë parasysh rezultatet më të mira të historiografisë marksiste. Teksti i Enciklopedisë duhet të shpreh zhvillimin e vërtet të çdo personaliteti të veçantë, roli i të cilit është qenësor për një popull”. Por pas një periudhe të shkurtër shëndeti i Esatit, u rëndua nga probleme të vazhdueshme me “glakumën e syrit” dhe ai dha dorëheqja nga ky post. Ndër të tjera me një letër të gjatë prof. Jakov Sirotkoviq kryetar i Encklipedisë pas vdekjes së Kërlezhës do t’a falënderonte Mekulin për kontributin e tij dhënë Enciklopedisë. Një kapitull mjaftë tërheqës për lexuesin është Esat Mekuli dhe Ivo Andriqi. Autori Esat Myftari na shpalos pjesë ku shihet se Esat Mekuli me Andriqin u takuan menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore në mjedise të Beograd ku po formohej tradita e shkrimtarëve për rrahje mendimesh. Mekuli do ta veçon Andriqin si njëri ndër bashkëbiseduesit më të afërt nga brezi i vjetër i shkrimtarëve ku bënin pjesë edhe Kërlezha, Zogoviqi, e Kërkleci. I nxitur nga miqësia përkthen njërën prej veprave të njohura të Andriqit “Oborri i mallkuar”. Pjesë të cilat tërheqin vëmendjen në libër janë edhe copëzat e kujtimeve të Esat Mekulit të cilat autori i trajton me kujdes në studimin e tij.
Në vitet 80 Esati boton në gazetën “Rilindja” kujtimet e tij si një nevojë që t’i ndriçonte momentet kyqe të jetës së tij. Autori i vepës me një sy kritik analizon kujtimet e tij duke vënë nën llupë figurën e tij pra në shkrimin e këtyre kujtimeve. Me plotë të drejtë shtron pyetjen “a kishte qenë Esati i shtrënguar të bëjë kompromise dhe cili ishte çmimi që kishte paguar për këtë?”. Duke bërë fjalë mbi rolin e intelektualit si Esat Mekuli autori shtron disa dilema nëse Esat Mekuli ishte oportunist ? Esat Myftari merr shembuj se si ka njerëz që e quajnë Mekulin “opurtinist”. Mbështetja te ky pietet qëndron te krijimtaria poetike e tij.
Shembull tipik është poezia e tij “Ramiz o vëlla”. Në kujtimet e viteve 80 Mekuli na dëfton se kjo poezi u shkrua në kohën kurr ai qëndronte në Plavë në vitet 42-43. Pastaj shembuj të tjerë janë edhe poezitë kushtuar “Njegoshit” me rastin e 100 vjetorit të tij. Të gjitha këto përshkruhen dhe arsyetohen me ndershëmeri nga Mekuli me rastin e shënimeve të tij në Rilindje. Esat Mekuli ndërroj jetë më 1993 në moshën 77 vjeçare. Për të do të flisnin figurat më të shquara të gjuhës dhe letërsisë shqipe në Kosovë si Idriz Ajeti, Enver Gjergjeku, Vehap Shita etj.
Autori i monografisë Esat Myftari ka arritur që të jap një kontribut me vlerë për historiografinë shqiptare në ndriçimin e këtij personaliteti poliedrik. Letrar, veterinar dhe kryetar i parë i Akademisë së Shkencave të Kosovës, Mekuli do të mbetet në letërsi dhe shkencë si njeri i veçantë. Shtigjet e reja të studimeve për Mekulin në prizmin e profilit politik, na bëjnë krenar për arsye se tani hapën edhe horizonte të tjera ku Mekuli mund të analizohet më thellësisht pasi të vjelen edhe materiale arkivore ku do të pasqyrojnë figurën e këtij bardi letrar dhe shkencor në kontekstin historik. Në fund mund të themi me plotë gojë se Esat Myftari me këtë monografi na la një thesar të pasur dhe besoj që studimi në fjalë do të mbetet një gurrë e pashterur në studimet tona historike, politike dhe letrare.
( Autori është Hulumtues i pavarur për shek.XX në Institutin e Historisë – Prishtinë )