16 Prill, 2018 - 2:44 pm
“Bekimi i Plisit të Moisiut” është libri më i ri i Çun Lajçit që u promovua sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Ky libër me një gjuhë të thjeshtë të një njeriu nga Rugova arrin që të komunikojë me lexuesin duke i treguar shumë momente nga gëzimet e hidhërimet e jetës së aktorit Çun Lajçi.
Gili Hoxhaj
Jeta e tij në skenë, në shumë personazhe e marrëdhënia e tij me shumë njerëz, e sjellë këtë libër me gjallëri duke ndërfutur shumë copëza të jetës së tij. Si i tillë, ky libër është i bazuar në detaje nga memoria e aktorit dhe është një homazh për të gjithë njerëzit që kanë kaluar në jetën e tij.
Në mesin e të pranishmëve, sot pjesëmarrësit treguan për rëndësinë e librit dhe vlerat e autorit. Para kësaj, me plisin e tij në kokë e fyellin në duar, ai solli një performancë artistike përmes recitimit të një nga poezitë e tij. E gjithë ceremonia e përurimit të këtij libri u udhëhoq nga poeti Agim Doçi, i cili fillimisht lexoi një letër të kryeministrit Ramush Haradinaj, që ishte shkruar për të përuruar këtë libër. Doçi pati shumë fjalë e emocione gjatë përurimit të librit ndërsa shtoi se veprimtaria e autorit Çun Lajç duhet vlerësuar si pasuri kombëtare.
“Lus që Çuni të mos i kuptoj vlerat e veta se ndryshe nuk do i kishte folur shumëkujt që nuk i di vlerat e Çun Lajçit. Ai është memoria e dëshmorëve dhe heronjve të kombit”, u shpreh Doçi gjatë promovimit të librit.
Nazmi Rrahmani tha se Çun Lajçi përmes këtij libri sjellë një mozaik të përgjithshëm të punës, jetës dhe qëndrimeve të tij. Ai po ashtu tha se aktori përmes këtij libri arrin dy qëllime që të tregojë rrugëtimin e tij gjatë jetës dhe kontaktet me njerëzit dhe që lexuesin ta dërgoi në ato ngjarje e momente qe nuk kanë qenë vetëm të tij, por edhe të gjitha gjeneratave të asaj periudhe.
“Me rrugëtimin e tij jo vetëm artistike me rolet e luajtura nga vepra të ndryshme, ai ka diçka tjetër, diçka më plotësuese që nganjëherë gjatë punës dhe jetës së tij nuk është vërejtur, prandaj ndalet tash dhe i shkruan këto kujtimet të cilat e plotësojnë figurën e njeriut dhe aktorit të njohur Çun Lajçi”, tha Rrrahmani gjatë fjalës së tij, ndërsa shtoi se këto copëza të jetës e kujtojnë një dhjetëvjeçare të viteve 90-ta.
Pas tij, fjalën e mori shkrimtari Besnik Mustafai i cili tha se beson se ky libër është një kontribut shumë i dobishëm, pasi që kujtimet e tij të shkruara përbëjnë pasuri kombëtare dhe të gjithë personalitetet me standarde të tilla duhet t’i shkruajnë kujtimet e tyre. “Për mua është aktori më i madh shqiptar që është gjallë dhe më besoni si një shkrimtar, si një njëri i letrave po e them se është edhe një shkrimtar shumë i mire” , tha ndër të tjera Mustafai, duke shtuar se edhe përse ky libër sjellë disa copëza të ndara mund të lexohet si një roman pasi që marrëdhëniet dhe tregimet kanë një koherencë brenda vetes.
Ky libër është botuar nga Shtëpia Botuese “Buzuku”, andaj për botuesin e këtij libri, Abdullah Zenelin, botimi i librit të autorit Çun Lajçi është një privilegj. Ai tutje tregoi një detaj nga libri i parë, se si mes bisedash e kishte inkurajuar Lajçin që ato që po i tregon të ulet dhe t’i shkruaj.
“Kur e botova librin e parë ma tregoi një detaj që ishte margaritar dhe para se të arrij kulmin e asaj që më thoshte i thash “Ndal” dhe u habit, i thash “Ndal, ulu dhe shkruaj dhe pastaj flasim”, dhe me siguri nga respekti dhe mbështetja morale ai i hyri punës një pas një deri tek libri që u kurorëzua sot, faleminderit Çun që ky detaj ndikoi që ta shkruaj në libër”, tregoi botuesi Abdullah Zeneli.
Mes fjalëve të tij, Zeneli ftoi aktoren Safete Rugovën për ta nderuar aktorin me një buqetë të luleve.
“E filluam karrierën para 50 viteve, me ndjenja atdhedashurie u rritëm dhe u edukuam gjithë jetën, si kolege e falënderoj Çunin për të gjitha ato role e personazhe që i dhuroi teatrit, ndërsa si lexuese e falënderoj për të gjithë këta libra që i solli viteve të fundit”, u shpreh aktorja Rogova, për aktorin Çun Lajçi.
Krejt në fund fjalën e mori autori i librit, Çun Lajçi i cili tha se sot në kokë mban plisin, sepse dëshiron t’i respektoj rrënjët e tij. Ai tha se përmes këtij libri ka thënë gjithçka që s’ka mundur të thotë në skenë.
“Jo pse jam më patriot se ata që na udhëheqin, jo se jam më pak trim, por që vi prej një rraje që kemi pasur me çka të krenohem e kam trashëguar prej babai tim, që të eci në shputat e mija pa e marr parasysh a do të më qohet pluhuri mbrapa”, tha aktori Çun Lajçi. Ai tutje tha se ky libër nuk është thjeshtë një autobiografi dhe se nuk e ka filluar si autobiografi, po për të treguar se në jetë ka mësuar shumë nga të tjerët.
Krejt në fund para se të pranishmit të takoheshin me autorin për ta uruar për librin, ai emocionoi të pranishmit me një pjesë të librit. Rrëfimi i tij tregonte për jetën e tij prej aktori në moshën 22 vjeçare, ku pak momente para se të sjellë para publikut rolin e Hamletit në Teatër, merr njoftimin e vdekjes së nënës së tij, të cilën ditën e nesërme do ta gjente poshtë varrit të mbuluar nga bora. / KultPlus.com