Ben Blushi dhe Ismail Kadare në Panairin e Librit në Leipzig

28 Shkurt, 2020 - 12:30 pm

Letërsia bashkëkohore shqipe do të prezantohet përmes emrave më përfaqësues të saj në Panairin e Librit, në Leipzig të Gjermanisë, që do të mbahet nga datat 12-15 mars 2020.

Alda Bardhyli drejtore e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit vëren se letërsia shqipe do të jetë  e pranishme përmes zërave më përfaqësues të saj në eventin e madh të librit si Mitrush Kuteli, Ismail Kadare dhe Ben Blushi. Në stendën e Shqipërisë në këtë panair, vizitorët gjermanofolës apo dhe të vendeve të ndryshme që do të vizitojnë panairin do të kenë mundësi të dëgjojnë intepretimin e pjesëve të zgjedhura nga këta tre autorë nën leximin e shkrimtares Ani Wilms, thotë Bardhyli.

Sipas saj, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit e sheh këtë panair, si një mundësi komunikimi përmes vlerave tona më të mira. Të ftuar do të jenë dhe dy autorë të letërsisë bashkëkohore si Enkel Demi, Darien Levani si dhe dhe dy autore të njohura në letrat shqipe Flutura Acka dhe Diana Culi. Tema e këtij viti e Panairit është “Prejardhja, përkatësia, e përbashkëta“.

Sipas A. Bardhylit, QKLL do të jetë e pranishme në këtë Panair jo vetëm me stendën ku prezantohen vlerat tona më të mira por dhe me dy aktivitete që janë pjesë zyrtare e panairit që synojnë një gjithëpërfshirje ndërkombëtare. Duke u mbështetur tek tema e këtij panairi më 12 mars, ditën e parë të hapjes së Panairit, QKLL do të organizojë tryezën e diskutimit “Revolucioni i zemrave“ ku do të jetë e pranishme dhe Ministrja e Kulturës, znj. Elva Margariti. Besoj se ndryshimi në vendet e rajonit duhet të fillojë nga zemra dhe letërsia e cila e ka këtë aftësi, thotë A. Bardhyli. Më 15 mars, poezia shqipe do të jetë e pranishme në Laipzig. Ndër të tjera nënvizojmë se ky muaj shënon dhe 100 vjetorin e lindjes së poetit të zëshëm Zef Zorba.

“Buzë të ngrira në gaz“, një varg i Zorbës do të bëhet shkas i një diskutimi mbi poezinë shqipe, por tashmë në një formë të re komunikimi e hapësire, duke bërë bashkë në tryezë emra të njohur të kësaj fushe“, shton më tej A. Bardhyli. Sipas saj, panairet janë një mundësi e artë për autorët e letërsisë së vendeve të vogla për të promovuar dukshëm vlerat e tyre më të mira. /Panorama.al /KultPlus.com

88c16624-4180-4150-a970-0fca0b137d99


Të ngjajshme