Berberi dhe bulldozeri

9 Maj, 2020 - 2:28 pm

Nga Nerimane Kamberi

Berberi i shashtrisur shikon bulldozerin që i afrohet dyqanit të tij si një dinozaur, nuk mund
të bëjë asgjë, veç t’i mbyll sytë. Atëhere i kujtohen ato ditë kur tërë mahalla, tërë qyteti u
patën mbyllë, madje krejt dynjaja. Kishte sulmuar një virus. Atëhere e mbylli dyqanin se
myshterija nuk i vinin më, madje as myshterija e tij më i rregullt, kryetari i komunës që
kishte dalur një ditë nëpër rrugë, si i marrë, dhe bërtiste “Ç’ju duhet të shkoni te berberi, ku
dreqin jeni tu shku, kthehuni në shpi. Po ku dreqin doni të shkoni më atë frizurë, me atë
fytyrë të rruar në milimetër me briskun e porositur në Stamboll, me flokët e prera në 2
!!!?? Baret, restaurantet, shkollat janë të mbyllur. Nuk do të ketë as ditëlindje, as dasma, as
varrime.”

Berberi mbante sytë të mbyllur fort edhe veshët tani i kishte mbyllur, me duar, nuk donte të
dëgjonte zhurmën e bulldozerit, rënkallën e dyqanit i cili qëndronte i vetëm midis
ndërtimeve të larta, jo larg një harkut të triumfit kiç, ca statuja mbi kalë, dhe dy-tre muze të
stilit neo-klasik, të shëmtuar, që as një dekor filmi nuk do të ja kishte zili. Nga dyqani mund
ta shihte edhe anijen mbi lumë, e nuk dinte të thoshte, nuk kishte shumë shkollë, por
myshterinjtë i kishte profesorë, arkitektë, historianë, të vendit dhe të huaj, por nuk dinte të
thoshte se a ishte anije të kohës greko-romake, apo të vikingjeve, ndoshta ishte ndonjë
model imitim të atyre të Kristofor Kolombus, Santa Maria? Santa Barbara? dreqi e marrtë,
Santa diçka, e punë e madhe emri, ajo ia kishte fshehur pamjen, se nga dyqani më nuk mund
të shihte pjesën e bukur të qytetit, të cilës i përkiste edhe ai para dhjetë viteve para se të
bëheshin ndryshimet e qytetit, një ëndërr megalomane e ca krerëve të shtetit. Memzi e
shihte kalanë.

Por asnjëhere nuk e linte pa e kaluar rrugën e gurtë, të dal në anën tjetër, ta
shikoj dyqanin, nga ura, çatinë nga andej, dhe të ulej të pi një kafe në Hanin e vjetër, ku
oborri ishte parajsa vetë, dimër verë.

Edhe babai i tij e kishte mbyllur dyqanin gati 50 vjet para tij. Kishte shkruar mbi një karton:
“Nuk punon berberi- Lija”. I kishte treguar, kur ishte rritur, se shkonte në shtëpi të atyre që e
thërrisnin, për të prerë flokë, të ndreq mjekrën, dhe të bëj syneti. Por pranonte të shkoj
vetëm te ata që i njihte personalisht, nga më herët, edhe të cilët kishin bërë be që nuk ishte
të sëmurë në familjen e tyre, dhe atëhere kur bëjshe be, fjala jote nuk lëvizte më. Ishin
familje zengine dhe e paguanin mirë, por ai shkonte edhe te fukaratë e aty nuk pranonte
asnjë pare, madje as kafe me pi nuk donte, madje ndonjëhere i linte dy tri monedha,
fëmijve, se fukaraja është shumë më krenar se zengini, zaten ajo është krejt pasuria e tij.

Pas tre, apo katër muaj, nuk i kujtohej mirë, kishte pritur myshterinjtë e parë, ata më
besnikët, më pedantët. Ata te të cilët kishte shkuar, gjatë mbylljes në shpi, në çdo kohë, se
në mesin e tyre kishte asi të dashuruar në vete që para se të bien në gjumë e shikojnë vetën
edhe njëhere në pasqyre e tmerrohen nga pamja, e shpejt e thërasin berberin “do të paguaj
me napoleona!!!”, kishte edhe baba që kishin frikë se djali i tyre nuk ishte burrë, se e kishin
parë duke luajtur me kukulla me kusherirën, e atëhere e thërrisinin para se të shkonte
hoxha në xhami për faljen e sabahit, e duhej nxjerr fëmijën nga krevati, t’i uleshin pizhamat
teposhtë, e ai gjysëm i fjetur nuk shihte se çka po ndodh me të, vetëm dhimbja e fortë e
kthjellte dhe ai bërtiste e i mshonte grushta berberit. Hahaha i kujtohej kur e kishte prerë,
me qëllim, një maskara, edepsëz, dinsëz, që e kishte përzënë nga shpija pa e paguar por nuk
kishte guxuar t’i jepte një shkelm edhe pse sa mundte thoshte “oh kam me ta dhënë një që
nuk ke me mujt me u ul dhjetë ditë” por vërtetë kur e kishte parë vetën me atë mjekër, e që
i përgjante një rilindasit, ishte zbutur pak, se dora në zemër, nuk e dinte, nuk mundte të
thotë se nuk i kishte rrëshqitur dora, këto janë gabime që ndodhin, dhe babai, berberi, ia
dinte punët e pista dhe i kishte myshterinjë prej kryetarit të komunës deri te kryeshefin e
xhendarmërisë, hajt se kalon, e lyej plagën me një melhem.

Bulldozeri afrohej, momenti i rrëzimit të dyqanit afrohej. Bulldozeri u ndal, berberi pa
dyqanin e tij për tokë, si një kafshë, më saktësisht si një kau. U shtang. Mbeti pa frymë. I
fërkonte duart duke kukatur, bënte ca hapa te para, e kthehej te vendi. E përnjëhere filloj të
ecte rrugëve si i marrë duke bërtitur: “Po ku do të shkoni te berberi? Po pse të shkoni te
berberi? Do të mbyllen më së pari dyqanet e berberave dhe parukeritë. Po pse të ndreqeni,
pse t’i preni flokët, pse ta ndreqni mjekrrën, pse të bëni frizura, do të mbyllen baret, kafet,
restaurantet. Do të mbyllen shkollat.

Nuk do të ketë ditëlindje, as dasma as varrime. Dy
javë, … ka thënë Luli, Luli i vocërr, Luli i madh, dy javë,… Hahhahhahha, hahahhaha” / KultPlus.com

Të ngjajshme