18 Qershor, 2021 - 12:55 pm
Xhemile Hysenaj
Libri ”Pikturë me fjalë” nga Lumnije Berisha, i cili vjen në zhanrin publicistik dhe përmban gjithsej 19 intervista me personalitete të ndryshme, ku në qendër ka komunitetin e personave me aftësi të kufizuara, u përurua mbrëmë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery.
”Pikturë me fjalë”, që shpalos tentimin e Lumnijes për ta bërë botën një vend më të mirë për komunitetin me aftësi të kufizuara, erdhi mbrëmë në formën e një libri që brenda vetes përmban histori e personazhe të ndryshme që tregojnë sfidat e ndryshme me të cilat ky komunitet përballet, shkruan KultPlus.
Redaktorja e këtij libri, Vera Pelaj, në fjalën e saj për librin, theksoi se ky përuruim është një ditë feste, pasi siç thekson tutje ajo, Lumnije Berisha i ka mbledhur të gjithë për të shpalosur punën e saj disa vjeçare.
”Ky libër tregon shpirtin dhe mendjen e Lumnijes që punon për ta bërë botën një vend më të mirë e më të lehtë vetëm për personat me aftësi të kufizuara duke u mundur që përmes emisionit që transmetohet në dy programet e Radio Televizionit të Kosovës dhe përmes personave të fushave të ndryshme të bëjë pyetje e të gjej zgjidhje se cila është rruga më e lehtë për t’u zgjidhur problemet e një kategorie të caktuar përmes personave kompetent të fushave të ndryshme që nga prindërit e fëmijëve me nevoja të veçanta, mësuesit, trajnuesit, deputetët, eskpertët, ambasadorët e avokatët”, u shpreh Pelaj për të pranishmit.
Pelaj, ndër të tjera theksoi se në librin ”Pikturë me fjalë” përveç anës profesionale, dominon edhe ana humanitare, pasi Lumnije Berisha përmes intervistave të realizuara nxjerr në pah me kujdes çdo probem që i përcjell personat me aftësi të kufizuara duke mos harruar që t’i vë vë në pah edhe anët artistike të tyre.
”Në librin “Pikturë me Fjalë”, i cili është mjaft unik, si për nga përmbajtja, po ashtu edhe nga temat e trajtuara, që në fokus kanë personat me aftësi të kufizuara, autorja, me fjalë, pikturon mjeshtërisht një mozaik shumë-ngjyrësh, nëpërmjet të cilit lexuesit i prezanton: pozitën e personave me aftësi të kufizuara në shoqërinë kosovare; sfidat dhe paragjykimet me të cilat ballafaqohen kjo kategori e shoqërisë; kornizën ligjore e cila ofron barazi për të gjithë, por që fatkeqësisht nuk zbatohet mjaftueshëm, si dhe nevojat për ndryshim, nisur nga vetëdijesimi për mirë-trajtim dhe integrim të personave me nevoja të veçanta, e deri tek ofrimi i kushteve më të mira për jetesë, shkollim e punësim. Në përpjekjet e saja “për një botë më të mirë”, në librin që po promovohet, duke promovuar njerëzoren e barazinë, autorja trajton fenomenin e diskriminimit, tolerancën, humanizmin e bamirësinë. Për këto dy të fundit, autorja flet në intervistën me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, të nderuarin, z. Qemal Minxhozi, dhe znj. Afërdita Tahiri, alpinisten që pushtimin e “Kilomanxharos” ia kishte dedikuar fëmijëve të verbër”, theksoi Pajtim Quni, recenzenti i veprës ”Pikturë në fjalë”.
I pranishëm ishte edhe Hajdar Fejzullahi nga Lena Graphic, i cili ishte përkujdesur për botimin e librit të Berishës. Ai theksoi për të pranishmit, se fakti që kishte në botim këtë libër, e bënte të ndihej me fat.
”Në hyrje të librit më la shumë përshtypje që Lumnija thotë se ne nga pamja ndoshta nuk dukemi sikur ju të tjerët, por nga brendia e shpirtit jemi po të njejtit. Dua ta përgëzoj autoren për librin dhe intervistat të cilat i kam lexuar, më la përshtypje falenderimi tek nëna e saj, një falenderim shumë prekës e me një sinqeritet që tregon se autorja i përkulet familjes dhe e përgëzon për atë që ka bërë për të”, theksoi tutje Fejzullahi për të pranishmit.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci e cila është ndër personazhet e përfshira në këtë libër, theksoi para të pranishmëve që me autoren e ”Pikturë në fjalë” janë njohur kohë më parë.
”Jemi njohur kohë më parë, kur më ka kontaktuar për intervistat sa kam qenë Drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prishtinës, pastaj edhe si deputete dhe arsyeja pse asnjëherë nuk i kam refuzuar kërkesat e saj për të biseduar ka qenë se përtej obligimit tonë që të bëjmë gjithë atë që e kemi në përgjegjësi, tani si Ministre e Arsimit edhe në punën time si mësimdhënëse e tutje, për të dhënë maksimumin që të ofrojmë mundësi të barabarta për secilin fëmijë të Kosovës.
Nagavci poashtu theksoi se janë raste sikurse Lumnija edhe të tjerë sikurse Lumnija që asaj ia bëjnë të ditur për çdo ditë për forcën dhe sukseset e njëpasnjëshme për guxmin dhe për betejat që i përballojnë me sukses Lumnija dhe të tjerë si ajo.
E fundit që mori fjalën, ishte edhe vetë autorja e këtij librit, e cila mes lotësh e duke emocionuar të pranishmit, falenderoi të gjithë që kishin ndihmuar në librin e saj dhe të gjithë ata që edhe në këto rrethana pandemia, kishin gjetur kohën që të ishin prezent në përurimin e librit të saj.
”Përtej fjalëve që u thanë deri tash, unë nuk do të kisha çfarë të shtoj më tepër përveçse t’i falenderoj jashtë mase të gjithë. Redaktorja ime Vera Pelak më ka bërë presion pozitiv, duke më shtyrë tutje që të punoj më tepër dhe që për këtë vit ta finalizoj librin, pasi unë kam dashtë që ta përuroj vitin e kaluar por meqë ndodhi si ndodhi me pandeminë që e trazoi tërë botën, nuk doja që numri 20 të figurojë në librin tim, prandaj i kam lënë 19 intervista edhe kam larguar edhe një që asesi numri 20 të mos figuroj aty brenda”, theksoi Berisha.
E me lotët që nuk mund t’i ndalte, Berisha falenderoi edhe nënë e saj. Për të cilën theksoi se është ndër personat që ka bërë e vazhdon të bëjë shumë për të. Autorja, poashtu i bëri thirrje shtetit që të punoj më tepër për personat me aftësi të kufizuara.
Lumnije Berisha u lind në Dardanë. Studimet për Gazetari i mbaroi në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, kurse studimet Master në drejtimin “Komunikim Masiv dhe Gazetari”, i përfundoi në Kolegjin AAB, ku mori titullin MA me temën “Qasja e institucioneve dhe e mediave ndaj personave me aftësi të kufizuara në Kosovë”, e cila më pas u bë libri i saj i parë.
Që nga viti 2013 është autore e emisionit me tematikë sociale “Për një botë më të mirë”, në Radio Kosovë. Gjithashtu, një periudhë kohore e ka drejtuar edhe emisionin “Kaleidoskop”, po në Radio Kosovë, në të cilin ka trajtuar tema të ndryshme me personalitete të shquara shqiptare.
Ndërkaq, “Pikturë me fjalë”, është libri i saj i dytë. / KultPlus.com