7 Janar, 2020 - 6:50 pm
Një intelektual i rrallë i llojit të vet, duhet kujtuar gjithmonë Bekim Bokshi.
Bokshi lindi në Gjakovë më 12 dhjetor 1930. Gjashtë klasë të mësimit fillor i kreu në Tiranë, ndërsa dy të tjerat – në Gjakovë. Kreu maturën në Gjimnazin e Prishtinës. Ndoqi studimet në Katedrën e Albanologjisë në Beograd dhe, me ndërprerje, i përfundoi më 1959. Vijoi studimet pasuniversitare në Drejtimin e gjuhësisë në Beograd. Tema e tezës së doktoratës iu dha në bazë të punimit “Zhvillimi i strukturës së temave emërore të shqipes” (Gjurmime albanologjike, 1, 1971). Mbrojti tezën e doktoratës me temë “Rruga e formimit të fleksionit të sotëm nominal të shqipes” në Fakultetin Filozofik të Prishtinës më 1977.
Ka ligjëruar lëndën e gjuhës shqipe në Gjimnazin e Gjakovës dhe në vitet 1961-63 ka ushtruar edhe detyrën e drejtorit të kësaj shkolle.
Ka qenë profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Gjakovës në vitet 1967-73 për Morfologji të gjuhës së sotme shqipe e për Hyrje në gjuhësi dhe në katër vjetët e parë e ka drejtuar punën e kësaj shkolle. Brenda kësaj kohe për tetë muaj ka punuar në Institutin Albanologjik të Prishtinës, shkruan KultPlus.
Nga viti 1974 është zgjedhur ligjërues i Morfologjisë historike në Degën e Gjuhës e të Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës dhe, pas doktorimit, është zgjedhur profesor inordinar e pastaj edhe ordinar deri kur u përjashtua nga Fakulteti më 1991 bashkë me mësimdhënës të tjerë shqiptarë nga dekanati i dhunshëm. Në vitet 1992-2001 ka ligjëruar lëndën Hyrje në studimin krahasues të gjuhëve indoevropiane në Shkallën e tretë të studimeve – Drejtimi i gjuhësisë në Fakultetin Filologjik të Prishtinës.
Edhe veç këto fjalë nuk mjaftojnë për personalitetin e madh i cili la gjurmë në shkencë dhe në atdhetarizmin shqiptar.
Në Universitetin e Jenës ka mbajtur ligjëratën për origjinën e mbaresave rasore të shqipes. Para ligjëruesve të Katedrës së Gjuhës e të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filologjik të Tiranës dhe bashkëpunëtorëve shkencorë të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë ka mbajtur ligjëratën për zhvillimin e sistemit emëror të shqipes (1979).
Ka qenë deputet në Dhomën për Arsim në Kuvendin Federativ më 1967-69. Në zgjedhjet e organizuara nga subjektet tona politike më 1992 është zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës. Në vitet 1993-96 ka qenë kryetar i Partisë Socialdemokrate të Kosovës. Për veprën “Rruga e formimit të fleksionit të sotëm nominal të shqipes” ka marrë Shpërblimin e Dhjetorit të Kuvendit të Kosovës më 1980.
Më 2002 u zgjodh nënkryetar, ndërsa në vitet 2008-2011 ishte kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Bokshi ndërroi jetë në vitin 2014.
Librat e botuar:
Në pritje (Përmbledhje poezish, Jeta e re, Prishtinë, 1966. Ribotim nga Rilindja, Prishtinë, 1978. Përkthyer në serbisht nga E. Mekuli, U očekivanju, Bagdala, Krushevc, 1969. Në vitet 1981- 87 ka publikuar rreth 20 poezi në Rilindja e në të përkohshmet Fjala dhe Jeta e re ).
Rruga e formimit të fleksionit të sotëm nominal të shqipes, ASHAK, Prishtinë, 1980; botimi i dytë ASHAK, Prishtinë, 2006
Prapavendosja e nyjës në gjuhët ballkanike, Rilindja, Prishtinë, 1984; Botimi i dytë, ASH, Tiranë, 2009.
Hije të këputura (Aforizma), Dukagjini, Pejë, 1996.
Pjesorja e shqipes (Vështrim diakronik), ASHAK, Prishtinë, 1998.
Për vetorët e shqipes, ASHAK, Prishtinë, 2003.
Periodizimi i ndryshimeve morfologjike të shqipes, ASHAK, Prishtinë, 2010.