Besnik Mustafaj, promovoi librin me poezi “Harrimi i dashurisë” në Panairin e Librit në Prishtinë

7 Qershor, 2018 - 2:55 pm

Alberina Haxhijaj

Në kuadër të edicionit të 20-të të Panairit të Librit në Prishtinë po vazhdojnë promovimet e librave. Dita e sotme e këtij panairi u hap me promovimin e librit “Harrimi i dashurisë” nga Besnik Mustafaj, shkruan KultPlus.

Shtëpia botuese “Buzuku” e cila tashmë riradhitë edhe botime të mëparshme të punës së shkrimtarit Besnik Mustafaj, duke e cilësuar atë si njeriun e letrave të dashurisë, përkrahu edhe botimin e librit më të ri të shkrimtarit “Harrimi i dashurisë”.

Pikërisht Abdullah Zeneli nga shtëpia botuese u shpreh se janë të lumtur që pikërisht “Buzuku” realizoi botimin e këtij libri.

“Më vjen mirë që keni ardhur këtu në promovimin e librit të njeriut të letrave, të njeriut të fushës së diplomacisë shqiptare që ka ndikuar shumë në tranzicionin dhe në zhvillimet që ka bërë shteti i Kosovës. Kur ai i botonte librat në Francën e i gëzoheshim sukseseve të tij dhe tani jemi të lumtur që patën mundësin që të botojmë pikërisht librat e tij edhe ne si shtëpi botuese”, tha ai.

I pranishëm në promovim të librit ishte edhe aktori Çun Lajçi i cili edhe interpretoi dy poezi nga libri i botuara.

/…kërkojë tokën e lagësht/ dheun e butë që nuk më vret brinjët/ shikojë plot durim qiellin/ pres renë e vogël që sjellë shiun/ a qoftë edhe pak njomësi/ ky ajër i thatë hyn e del nëpër ujë/ me një vërshëllim të shurdhër/ a thua se ish në një mushkëri të huaj/ duke të pritur ty unë jam si kërmilli/ i harruar në hapësirën time të mjaftueshme/ për të pritur edhe kur s’ka vend për ty/ ti ndoshta do të vish/ eja unë të pres../

Në promovim të librit fjalën e mori edhe shkrimtari Adem Gashi, mik i shkrimtarit Mustafaj. Ai u shpreh se shkrimtari e filloi krijimtarinë e tij me poezinë e cila siç edhe ka thënë edhe Mustafaj nuk është një lum që rrjedh po një vullkan që bënë sikur flenë që të të zgjojë vrullshëm dhe papritur.

“Mua mu bë e papërballueshme që nga krijimtaria e tij të bëjë një përmbledhje të poezive dedikuar pikërisht dashurisë ndoshta duke u bazuar në faktin se lirika me këtë tematikë kap një volum të gjerë të krijimtarisë së tij”, tha Gashi i cili edhe ka zgjedhur poezitë e shkrimtarit dhe i ka radhitur ato në librin më të ri të tij.

Sipas Gashit kur të lexohet ky libër lexuesit do të pyesin se ku është dashuria, të cilën sipas tij lexuesit mund ta gjejnë pikërisht të mungesa e saj, e cila mund të vërehet edhe tek vargjet unë po të pres ty si kërmilli, i strukur në lëvozhgën time…

Shkrimtari Besnik Mustafaj u shpreh se për të më të rëndësishmit janë lexuesit. Ai tha se pikërisht në Kosovë ka ardhur në kërkim të lexuesve të tij.

“Kur e lash politikën para 10-të viteve në mënyrën me spontane thash se tani nuk jam më në kërkim të votuesve por jam në kërkim të lexuesve dhe mund të ju them se në këtë rrugën e aventurës është më e vështirë të gjesh lexues sesa votues. Të pasurit e kaq shumë njerëzve këtu me bën të lumtur pasi që dëshmon se njerëzit janë të interesuar për të lexuar shkrimet e mia”, u shpreh ai.

Poezitë e librit të botuar “Harrimi i dashurisë” nuk janë shkruar gjatë një periudhe të caktuar mirëpo janë përmbledhje e poezive të cilat poeti i ka shkruar gjatë viteve. Pikërisht këto poezi ai i konsideron si një trashëgimi të cilat ai ka vendosur t’ua lë lexuesve edhe kur të mos jetë më.

Ky edicion i Panairit të Librit në Prishtinë do të vazhdojë edhe për katër ditë. Kujtojmë se shkrimtari Besnik Mustafaj ishte shpallur autori i vitit, në edicionin e kaluar të Panairit. Shoqata e Botuesve e vlerësoi atë me këtë çmim për librin “Ëndrra e doktorit” botimet Toena./ KultPlus.com

Të ngjajshme