27 Dhjetor, 2024 - 6:30 pm
Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka nënshkruar ditën e djeshme një marrëveshje me Bashkinë e Roskovecit.
Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, bëhet e ditur se Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi dhe Kryetarja e Bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi nënshkruan një marrëveshje që konfirmon anëtarësimin me të drejta të plota të Bibliotekës Publike të Roskovecit në sistemin e përbashkët digjital COBISS.AL, që menaxhohet nga Qendra e Informacionit Shkencor (QKPISH) pranë ASHSH-së.
Kjo marrëveshje ka për qëllim zgjerimin e rrjetit të informacionit shkencor dhe akademik përmes bibliotekave dhe qendrave të informacionit në vend.
Në këtë takim bashkëpunimi morën pjesë drejtuesja e Qendrës së Informacionit (QKPISH) Mirlona Buzo, drejtuesja e sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë dhe Publikun prof. asoc. Elda Zotaj, nënkryetari i Bashkisë së Roskovecit Maksim Goga dhe përgjegjësja e Bibliotekës Publike të Roskovecit Mimoza Hazizi.
Bashkia e Roskovecit mbështet dhe vlerëson nismën e Akademisë së Shkencave për sigurimin e aksesit të hapur në burime elektronike të informacionit për komunitetin e saj dhe më gjerë./ KultPlus.com