Biblioteka e Umberto Ecos me koleksion prej 30 mijë librave

1 Shtator, 2019 - 10:00 am

A e dini se biblioteka e shkrimtarit të famshëm italian Umberto Eco, ka një koleksion prej 30.000 librash? Ajo përbëhet nga botime të çdo lloj fushe, por më së shumti nga fusha artistike dhe ajo e eseistikës, filozofisë, estetikës etj.

Porse, kohët e fundit, duket se fondi i çmuar i bibliotekës së tij private, do të ketë dhe akses publik, pse jo dhe vlera antikuare dhe turistike. Sepse ajo tashmë do të transferohet e gjitha në universitetin e Bolonjës, ndër më të vjetrit në botë(viti 1088).

Umberto Eco, shkrimtari, filozofi, esteti, semiologu dhe ndër personalitetet më me ndikim në Italinë e gjysmës së dytë të shek.XX e më gjerë, ka qenë president i këtij universiteti, deri kur u nda kjo jetë, në shkurt të vitit 2016. Ndaj ky lajm, s’përbën surprizë.

Ndërkohë, surpriza e vërtetë do të jenë vëllimet dhe librat që kanë kaluar në duart e njërës prej mendjeve më të ndritura të qytetërimit perëndimor përgjatë disa dekadave. Krahas romaneve “Emri i trëndafilit”, “Lavjerrësi i Fukosë” apo “Varreza e Pragës”, ai është dhe autor i librit eseistik “Historia e bukurisë”, një “sagë” brilante e njërës prej kategorive më të rëndësishme estetike. Kjo vepër është pjesë e një trilogjie, pasuar nga “Historia e së Shëmtuarës” dhe “Infiniti i listave”. Projekti i transferimit të bibliotekës së Ecos ndodhet në fazën e zbatimit dhe me shumë gjasa, së shpejti pavioni i saj që konsiderohej si një labirinth, do jetë i aksesueshëm në universitetin e Bolonjës. /koha.mk/KultPlus.com

Të ngjajshme