24 Nëntor, 2023 - 5:24 pm
Me një ceremoni solemne u organizua shënimi i 79-të vjetorit të themelimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdanit”, datë kjo që tregon përkushtimin e palodhshëm dhe rikonfirmimin e bibliotekave të vendit tonë, të cilat e ruajnë kujtesën dhe trashëgiminë letrare të Kosovës.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin: Sekretari i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Xheladin Krasniqi, kryetari i Këshillit Drejtues, Bardh Rugova, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Fazli Gajraku, përfaqësuesi nga Ambasada Amerikane në Kosovë, Enis Rexhepi, Imzot Don Lush Gjergji, profesor, drejtorë, dhe shumë dashamirë të librit.
Sekretari i MKRS-së, Xheladin Krasniqi gjatë fjalës së tij hyrëse tha se MKRS do të vazhdojë mbështetjen e pa rezervë për projektet që tashmë kanë filluar dhe janë duke u zhvilluar në Bibliotekën Kombëtare të cilat kanë një ndikim të veçantë në zhvillimin dhe transformimin bibliotekar.
Gjatë kësaj ceremonie u ndanë mirënjohje për punën dhe kontributin e dhënë në zhvillimin e saj gjatë këtyre viteve, po ashtu për nder të shënimit të kësaj dite u hap edhe ekspozita “Nga themelet deri te hapja publike e godinës madhështore të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës”, e cila përmban artikuj të gazetës “Rilindja” nga viti 1973-1983.
Kjo ngjarje u përkrah nga Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane në Kosovë./KultPlus.com