Biblioteka Kombëtare, ekspozitë kushtuar studiuesit Injac Zamputi

12 Shkurt, 2025 - 5:01 pm

Me rastin e 115-vjetorit të lindjes, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë çel një ekspozitë për historianin, studiuesin, kritikun e diplomatin, Injac Zamputi.

Në këtë ekspozitë, vizitorët do të kenë mundësinë të shohin nga afër kontributin e Injac Zamputit në fushën e historisë, kritikës dhe po ashtu, edhe krijimit letrar, me sprovat e tij në prozë e poezi.

Me kritikën e tij të hollë mbi artin dhe letërsinë, Zamputi arriti të renditej në krah të figurave më të spikatura të zenitit kulturor të shekullit të kaluar, dhe po ashtu, përmes intuitës së tij prej historiani, arriti të sjellë fakte dhe zbulesa të reja në fushën administrativo-historike për Shqipërinë nën pushtimin osman.

Injac Zamputi lindi në Shkodër, më 1910 dhe u nda nga jeta në Tivoli, më 1998. Gjyshi nga i ati ishte italian i vendosur fillimisht në Kavajë e më pas në Shkodër.

Vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, Injac Zamputi u dërgua në Gjirokastër si mësues letërsie e më vonë, me hapjen e Institutit të Shkencave thirret në Tiranë ku i caktohet dega e Historisë së Mesjetës. Zamputi njihet në historiografinë shqiptare si themelues i disiplinës së diplomatikës.

Diplomatika është disiplina që ka për objekt studimin e dokumenteve, përfshi gjurmimin, qëmtimin, mbledhjen, analizën, studimin edhe më në fund botimin e tyre. /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme