7 Gusht, 2017 - 6:16 pm
Disa vullnetarë në Greqi, vendosën të krijojnë një hapësirë të qetë për të lexuar dhe studiuar për të gjithë ata që kanë ikur nga shtëpitë e tyre në mes të pasigurisë me të cilën përballen çdo ditë, përcjellë KultPlus.
Përderisa kanë bërë punë vullnetare në kampet e refugjatëve në Greqi, Laura Samira Naude dhe Esther Zijthoff kuptuan se njerëzit që ata kishin takuar, përveç ushqimit dhe strehimit, kishin nevojë dhe donin të studionin, të punonin për të ardhmen e tyre dhe të gjenin një qëllim, shkruan ‘The Guardian, përcjellë KultPlus.
Naude dhe Zijthoff vendosën të krijonin një hapësirë të qetë, ku njerëzit në mes pasigurisë së tyre, do të mund të shfrytëzonin kohën e tyre. Kështu, vullnetaret Laura Samira Naude dhe Esther Zijthoff krijuan ‘Echo – Education Community Hope and Opportunity’, bibliotekën me rrota.
Biblioteka e cila u hap në nëntor të vitit 2016 me anë të fondeve, përmban 1300 libra në gjuhën arabe, në gjuhën kurde, në gjuhën frënge, në gjuhën greke, angleze etj. Biblioteka poashtu është e pajisur me vende leximi, me kompjuterë dhe ofron qasje edhe në internet. Biblioteka – minibusë u krijua fillimisht në Londër e më pas u dërgua në Greqi, për të hyrë në funksion për refugjatët atje, shkruan KultPlus.
Me 1300 libra, duke përfshirë edhe disa revista, biblioteka lëvizëse mirëpret mesatarisht 115 lexues në javë.
‘Vizitorët ulen brenda minibusit ose në stola jashtë, edhe pse kjo varet më shumë nga moti. Ne lëvizim gjatë tërë kohës nëpër qytete të ndryshme. Gjatë këtij dimri ishim në Selanik, minibusi ishte i ngrohtë brenda dhe njerëzit vinin për tu ngrohur dhe lexuar. Tani në verë, kur nxehtësia është shumë e madhe, lexuesit më shumë vinë gjatë natës kur është freskët për të lexua”, thotë Zijthoff, një nga krijueset e kësaj biblioteke.
Qëllimi i ideatorëve të kësaj biblioteke lëvizëse, është ta përhapin këtë koncept, ta vazhdojnë këtë nismë dhe të krijojnë biblioteka të tilla edhe në shtete të tjera si në Serbi, Itali, Palestinë, Liban etj. /KultPlus.com