13 Korrik, 2019 - 11:22 pm
Bibliotekat publike në Tiranë, duket se po kthehen në tendencë për qytetarët e të gjitha grupmoshave. Falë Bashkisë së Tiranës, ato që dikur ishin shndërruar në kafene dhe pika bastesh, brenda mandatit të parë të kryebashkiakut Veliaj i janë rikthyer komunitetit.
Brenda tyre gjen studentë, njerëz të profesioneve të ndryshme, deri dhe mësues e pedagogë, të cilët jo vetëm ndjekin pasionin për librin, por i shfrytëzojnë këto ambiente dhe për të studiuar apo për t’u përgatitur për sezonin e provimeve.
Rea, Ervisi, Fatjona, Edisa etj., janë disa prej dhjetëra e qindra emrave të tjerë, të cilët frekuentojnë bibliotekat publike në Tiranë, të cilat janë kthyer tashmë edhe në qendra me natyrë sociale, ku mjaft të rinj dhe të reja takohen për të studiuar bashkë, apo dhe për miq me moshë m, të cilët vijojnë të jenë lexues të rregullt të librit dhe të medias.
Biblioteka “Musine Kokalari”
E vendosur përgjatë unazës, biblioteka “Musine Kokalari” është thuajse e tejmbushur gjatë gjithë ditës. Ndonëse është plot, askush nuk pipëtin për t’i krijuar mundësinë çdokujt të lexojë dhe të studiojë i qetë. Rea Ahmetbeja është një studente e juridikut dhe frekuentuese e rregullt e bibliotekës. Sipas saj, biblioteka është një vend ideal për të mësuar. “Ka të gjitha komoditetet, që nga ambienti moderne, qetësia e pse jo dhe luksi. Në një Tiranë pak të zhurmshme, por dhe me problematikat e ndotjes akustike në pallate, këtu ndihesh si në një liman. Është absolutisht një vend shumë i mirë, ku gjithësecili shikon punën e tij. Është një investim që ja ka vlejtur për Tiranën”, shprehet ajo.
Ndërsa Ervis Nilo është student i inxhinierisë elektrike. Sipas tij, çdo gjë në bibliotekë është jo vetëm funksionale, por dhe shumë moderne. Teksa vlerëson punën e Bashkisë së Tiranës për hapjen e këtyre bibliotekave nëpër lagje, Nilo thekson se ato po kthehen dhe në një stil jetese për të rinjtë. “Jemi një grup që vimë vazhdimisht në bibliotekë. Ndjehemi shumë mirë këtu, pasi jo vetëm ka kushte shumë të mira, por edhe personel të përkushtuar. Më vjen mirë që janë rihapur bibliotekat dhe janë rregulluar në mënyrë fantastike. Sa më shumë pika të tilla, që po kthehen dhe në një stil jetese për të rinjtë, aq më shumë ka dhe rritje të komunikimit dhe të marrëdhënieve sociale mes vetë të rinjve apo grupmoshave të ndryshme”, shprehet Ervisi.
Biblioteka “Misto Treska”
Fatjona Murati dhe Edisa Rushiti, janë dy vajza që studiojnë për ekonomik. Ato, në një farë mënyre, ‘hapin’ bibliotekën, pasi vinë që në orët e para të mëngjesit. Fatjona shprehet se aq sa është e lehtë, ndonjëherë është dhe jo pak e komplikuar për të gjetur fjalët e duhura për të shprehur gjithë pozitivitetin për rregullimin e dhe vënien në funksion të bibliotekave në Tiranë. “As në shtëpi nuk kemi kushte kaq perfekte. Askush nuk të shqetëson. Madje këtu po njohim dhe shoqe dhe shokë të rinj, duke dalë pak dhe nga klishetë e përditshmërisë së Tiranës: kafe, shtëpi, shkollë. Dua vërtetë t’i ftoj të gjithë të interesuarit për librin apo për studim, që t’i frekuentojnë bibliotekat. Më mirë 2 orë në bibliotekë sesa 4 orë parazit në kafe”, shprehet Fatjona.
Ndërsa Edisa është e mendimit se kjo përvojë duhet të çohet më tej nga Bashkia e Tiranës. Ajo madje i kërkon Bashkisë që për blloqe lejesh ndërtimi që jep t’i kushtëzojë firmat private që t’i japin bashkisë një hapësirë dhe për bibliotekë. “Dija kushton pak sot, por padija është më e kushtueshme nesër. Ja pse duhet të kemi sa më shumë biblioteka”, komenton Edisa.