14 Tetor, 2020 - 11:10 pm
Nga Greta Beqiri
Bijë…
Kur të vish në këtë botë, më kanë thënë se do të qash. Jo prej mushkërive të vogla që do të të hapen në terën e ajrit të ri, por për vuajtjet dhe trishtimet që do pasosh në jetë.
Më fal nëse sot po tregohem pak e vrazhdë me ty, por dua të ta tregoj realitetin e fortë në sy.
Do marrësh jetë nga hiçi i umbelikalit tim për t’u shndërruar në gjithçka. Do të vish në këtë jetë me qepallat e brishta të mbyllur, më pas për t’i hapur e për ta parë jetën sesi vrapon drejt teje. Ndoshta si nënat e tjera, unë s’po tregohem shumë e ëmbël me ty, por bija ime duhet të të përgatis që shpirti i butë t’i përballojë më me sportivitet thërrmijat e trishtimit, humbjes së besimit dhe petalet e lotëve.
Nuk është se është dhe aq keq këtu jashtë, por duhet ta dish që po edhe aq bukur nuk është. Në fillim kur të shohësh dritën e kësaj toke gjithçka do të duket magjepsëse, e ngrohtë, e mbështjellur plot dashuri nga duart që të dhanë jetë. Më pas duart e ngrohta do të të mësojnë sesi të ecësh, belbëzosh, si të kapësh lugën, apo lapsin për herë të parë. Këto duar që të falën ngrohtësi do të të shohin në dritë të syrit, do japin pa u menduar dy herë edhe jetën për ty, por bijë… këtu fillon dhe mbaron gjithçka!
Do fillosh të rritesh dita ditës, e do nisësh të ndiesh turbulencat e para. Trishtimi dhe buzëqeshja do të të bëhen shoqe të pandashme. Ndaj po tregohem e vrazhdë me ty, që kur të vijë kjo kohë, të mos më fajësosh pse nuk të tregova për hiret pacipa të realitetit, por të jesh e gatshme të përballosh. Nuk do t’ju pëlqesh të gjithëve, mos u mërzit për këtë. Zilia dhe lakmia bëjnë dashuri në shtrat së bashku çdo ditë. Zemra e kristaltë do të thyhet shumë herë si një pasqyrë e lënë në harresë dhe gjakun e dalë nga copëzat e saj përdore si një buzëkuq që do të të bëjë edhe më të bukur, e plot vetëbesim.
Do biesh shumë herë pre e mashtrimeve, dhe mirësinë tënde do të duan ta përbaltosin, e sipër asaj balte do të duan të të murosin e të të gjuajnë me gurë. Bijë, ato gurë përdori si mburojë për të ndërtuar fortesën tënde të qëndrueshmërisë së pathyeshme, duke ecur përpara pa iu friguar matrapazëve përqark.
Dashuria jonë e pakushtëzuar nuk do të të mungojë, por bijë ti do të jesh gjithmonë në kërkim për një dashuri të re. Do pretendojnë shumë se do vdesin e do të japin jetën për ty. Në fillim do t’u besosh, pastaj do kuptosh që ishte thjesht një “game over” që në fillim do të të rrëzojë përtokë, por më pas do të të shndërrojnë në një heroinë. Dhimbja e kamufluar do të sherbetoset e gjithçka do të kalojë si të mos kishte ndodhur asgjë.
Bijë!
Gjithçka në këtë jetë ndodh dhe sfumohet në harresë, ashtu si dhe vetë njeriu që lind dhe vdes. Do të kisha shumë dëshirë që edhe ime më të m’i kishte thënë dikur këto fjalë, të më kishte paralajmëruar, por tani është ca si vonë. Pjesëzat e shpirtit nuk i gjej se ku më kanë humbur për t’i mbledhur. Por një gjë ta kesh të sigurtë e dashura ime, fundi do të jetë i lumtur. Do hysh me lot e do ikësh me buzëqeshje!
Ndaj të lutem lufto, ec para dhe shkëlqe!/ KultPlus.com