21 Nëntor, 2020 - 12:48 pm
Tregim nga Nerimane Kamberi
Duhej të mbërrinte te dera e pub-it para se Big Beni të tregonte orën 8. Duhej të mbërrinte, andaj ecte shpejt.
Qe sa ditë nuk mund të ngrihej nga krevati, i dhembte kryet, sikur të binin brenda të gjitha kambanat e katedrales, në një kakofoni e kompozuar për ta çmendur. I kishte mbushur xhepat e pizhameve me mëri dhe me mërzi dhe fundosej.
Ecte shpejt, pështyju në Temës, shikoj Parlamentin, prapë pështyju, dhe përnjëhere filloj të fishkëllej, nga gëzimi që kishte dalë pas shumë ditëve ndalimi. Mbrëmë mbretëresha i ishte drejtuar popullit nga kështjella ku strehohej, “God Save the Queen!”
Shpejtonte, pak edhe nga trishtimi, se nuk e shihte asnjë njeri në rrugë, autobusët e kuq ishin stopuar. Kur ai ishte shofer, i pëlqente të flas me udhëtarët, këtë merak vazhdonte ta ushqej mbrapa banakut me klientët rreth një kafe, në mëngjes, kur niseshin në punë, rreth një birre në mbrëmje, kur mbaronin punën.
E solli çelësin dhe hyri brenda . Sytë e tij dalluan banakun. Ndezi dritat, ndezi makinën e kafes, kërkoj shishet e birrës për t’i futur në frigorifer, do t’i nxirrte më vonë një nga një, e do t’i pije për të harruar që kishte ikur Xhoni dhe e kishte lënë vetëm në këtë kohe murtaje. Qëndronte drejtë mbrapa banakut, gati për t’i pritur me një përshëndetje të ngrohtë myshterinjtë e mëngjesit. “Morning, burrë, një kafe, si zakonisht?” e do të ndërronin ca fjalë, për punën, për jetën. Do ta pyesnin për të, Xhonin. Do t’i gënjente.
Tjetri do të vinte, e tjetri, …e në drekë do të shërbente Fish and Chips, më të mirët të Londrës; e në darkë do të mbushej salla, do të bllokohej hyrja në trotuare, e do të qeshnin me zë të lartë, do të bënin zhurmë, se kjo qetësi e mbyte, e do të shikonte nga banaku lumturinë e njerëzve, “jo, jo , në pub-in tim, në pub-in e Billy Holly-t nuk ka trishtim, nuk dua trishtim, vetëm lumturi, trishtimin lëreni në punë, në zyre, jashtë, hajde, jashtë, dua të ju shoh të lumtur.“
Një mjegull e dendur kishte rënë mbi qytet, por policët vërejtjen dritën në lokal, shtyjnë derën ngadalë, e njiheshin mirë këtë vend, vinin fundjavave kur nuk ishin në detyrë. U afruan te banaku. Në dysheme gjetën të shtrirë mikun e tyre, mikun e të gjithëve, Billy Hollyn. Kundërmonte erë birre. Buzëqeshi. Hapi një sy, kur dëgjoj zhurmën. Ngriti dorën, “Cheers. / KultPlus.com