23 Janar, 2018 - 9:01 pm
Mentor Agani e ka përkujtuar sot babain e tij Fehmi Aganin në 86 vjetorin e lindjes së tij.
Mentori e ka publikuar një fotografi të Aganit kur ka qenë i ri.
Fehmi Agani ka lindur më 23 janar të vitit 1932 në Gjakovë dhe është vrarë më 6 maj të vitit 1999 nga forcat serbe.
Fehmi Agani në Gjakovë mbaroi shkollimin fillor, ndërsa të mesmin e kreu në Prishtinë. Studimet për filozofi i mbaroi në Universitetin e Beogradit. Studimet pasuniversitare në shkencat politike i mbaroi poashtu në Universitetin e Beogradit, duke marrë gradën shkencore Magjistër i shkencave politike me temën Pjesëmarrja e punëtorëve në procesin e vendimmarrjes në Gjermani, më 1965.
Gradën doktor i shkencave të sociologjisë e mori në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës më 1973, duke mbrojtur me sukses tezën Partitë dhe grupet politike në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Më 1993 u zgjodh anëtar korrespondent, ndërsa më 1996 anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Akademik Fehmi Agani ishte bartës i shumë dekoratave, ndër të cilat edhe i Dekoratës Urdhri i Lartë Skënderbeg me të cilën e dekoroi presidenti i Shqipërisë dhe Urdhri i Lidhjes së Prizrenit me të cilën e ka dekoruar kryetari i Kosovës.
Për idetë dhe angazhimet e tij për çlirimin e Kosovës, u vra afër Lipjanit nga forcat ushtarake e policore serbe më 6 maj 1999 . Fehmi Agani ishte nënkryetar shumëvjeçar i LDK-së dhe deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. / KultPlus.com