18 Tetor, 2018 - 11:00 am
“Kuvendime në mbretërinë e të vdekurve: bashkëbisedim midis Gjergj Kastriotit, mbret i Shqipërisë dhe i Epirit, dhe Karlit të Madh, perandor romak”. Kjo është e vepra e shkruar nga abati Lorenzo Ignacio Thjulen në vitin 1816 dhe ribotuar në vitin 1832. Ajo është përkthyer nga Gemaj Kraja dhe vjen në gjuhën shqipe nga Botimet Françeskane.
Arsyet se pse vepra u shkrua mbetet mjaft interesante edhe sot, kur ende rrekemi të gjejmë mënyra për të joshur të rinjtë drejt dijes. Ishte viti 1788, kur abatit Thjulen i ishte besuar detyra për të dhënë mësim shkrim e lexim në shkollat fetare të Bolonjës. Me keqardhje, ai vuri re se nxënësit kishin njohuri të pakta rreth gjeografisë dhe historisë.
Për të ndryshuar këtë gjendje, mendoi t’u përgatiste atyre disa studime për mëkimin e njohurive në këto fusha, gjë që u realizua me miratimin e eprorëve të tij dhe me pëlqimin e të rinjve. Duke marrë për bazë autorët latinë, ai do të krijonte një përmbledhje të vogël të historisë antike dhe për këtë, mendoi kthimin pas në kohë, që nga perandori Kostandini i Madh. Abati hartoi edhe një përmbledhje tjetër me dy vëllime, ku shqyrtoheshin një sërë të dhënash gjeografike. Kjo e fundit mbeti e pabotuar, pasi, sipas tij, zhvillimet politike do të sillnin vjetrimin e saj në pak muaj. Një shënim hyrës i botimit, vëren se megjithëse Italia ishte toka me më shumë dijetarë dhe histori, ai vuri re se të rinjtë italianë, në ndryshim nga kombet e tjera, ishin gjithmonë e më pak të interesuar për historinë e vendit të tyre. Sipas mendimit të abatit, si autor tashmë, kjo vinte nga mungesa e tregimeve të përmbledhura në tekstet mësimore për të rinjtë. Sipas tij, nëse një fëmije të moshës 12 – apo 14-vjeçare do t’i paraqitej një tekst voluminoz për historinë, mosinteresimi ndaj saj do të ishte i pritshëm. Ndaj ai mendoi për një metodë që mund të tërhiqte të rinjtë dhe në fund, zgjodhi atë që i paraqitet më poshtë lexuesit.
“Një ndër arsyet kryesore të kësaj zgjedhjeje ishte shtjellimi i dialogut në përpjesëtim me argumentin, duke sjellë kështu një lexim të kënaqshëm. Së dyti, autori ishte i mendimit se historia e kohëve të ndryshme kuptohet më së miri nëse shihet nga këndvështrimi i jetëve të ndritura të figurave që lulëzuan në periudha të ndryshme”, thuhet në tekstin shoqërues të botimit. Sipas tij, edhe vetë kritika, e cila shpesh është e mërzitshme, vjen natyrshëm në dialogun historik kur një bashkëbisedues i kërkon tjetrit sqarime. “Karakteri i njerëzve nxirret në pah më mirë, pasi në mbretërinë e të vdekurve askush nuk ka drojë të rrëfejë gabimet e tij. Ndryshimet në mendime dhe mosdakordësitë sipas ndodhive, shërbejnë për të kuptuar fenë dhe ndershmërinë. Shpesh u lihet vend edhe rrurëzave,1 për ta bërë leximin më të këndshëm. Vendosja e bisedave në mbretërinë e të vdekurve nuk është sajesë e re, pasi ajo është përdorur nga shkrimtarët e antikitetit dhe shkrimtarët modernë, por nuk e dimë nëse ndonjëri prej tyre e ka përdorur këtë për të paraqitur një histori të rregullt”, thuhet në tekstin hyrës. Kjo histori fillon me mbretërimin e Karlit të Madh dhe vjen deri në ditët e sotme.
Sipas abatit, njohja më e mirë e së shkuarës sjell zbardhjen e fakteve që nuk janë fort të qarta nëse nuk njeh vendin. Ndokujt do t’i dukej se bashkëbisedimi nuk do të mund të përshtatej mirë me historinë ose, së paku, me një histori që u prezantohet njerëzve të qytetëruar. Por ç’mund të jetë më edukuese, e kënaqshme dhe sublime sesa një dramë e bukur, e duke menduar se çfarë është në thelb ajo, përveç se një fakt historik i vendosur në një bashkëbisedim.
Pjesë nga libri
Karli i Madh
Për një despot oriental dhe të acaruar, letra nuk është e konceptuar keq. Sidoqoftë, nuk mund të ketë mbetur pa përgjigje nga ana juaj.
Skënderbeu
Unë iu përgjigja:
Gjergj Kastrioti, luftëtar i Krishtit, i mbiquajtur Skënderbe, princ i epirotëve dhe i shqiptarëve për Muratin, princ i turqve, të fala! Kam marrë mesazhin dhe letrën tënde, në të cilën më ke fyer në të tillë mënyrë, që të provokoje qetësinë time dhe të ta ktheja me të njëjtën monedhë. Ashtu edhe unë, Murati im, nuk dua të bëj të njëjtën gjë me ty, por me fjalë të thjeshta të të paralajmëroj dhe të të them disa gjëra që i përshtaten moshës tënde. Ti më akuzon për pabesi dhe tradhti, si edhe përse mora përsëri mbretërinë e babait, që ti gëzoje pa të drejtë. Por në këtë pikë ke pak vërtetësi dhe arsye. Ti numëron mirësitë dhe përfitimet që kam marrë nga ti, të cilat në të vërtetë i pranoj, por me përpjekjet e mia të mëdha, kujdesin, vështirësitë, syçeltësinë dhe akoma më tepër, me rreziqe të skajshme të nderit dhe të jetës sime, unë të kam shërbyer dhe të kam kryer kaq shumë detyra të besuara. Ti ke vrarë vëllezërit e mi, ke rrëmbyer mbretërinë atërore dhe thure për mua vdekjen më gjakatare. Tani të duket e çuditshme që një shpirt, i cili e ka lirinë të shenjtë, kërkoi të shkundë zgjedhën e robërisë?! Deri në ç’pikë mendoje se unë mund të duroja një sundim kaq të tmerrshëm? Çdo ditë thureshin dredhi të reja kundër meje. Nuk dyshoja mashtrim në fjalët e tua, deri kur u vetëkuptua dhe u binda. I shmanga deri kur m’u dha mundësia të rifitoja lirinë time. Ajo që kam bërë deri tani është pak në krahasim me atë që shpresoj të bëj. Lëri kërcënimet, të cilave nuk u druhem. Unë besoj në mbështetjen hyjnore. Ki parasysh, pra, se unë nuk kërkoj këshilla nga armiqtë e mi, as paqe me ty, por fitore nga Perëndia! Ji mirë! Nga kampi ynë, 12 gusht 1444.
Hungarezët e kishin thyer armëpushimin me turqit dhe për këtë më erdhi mirë, sepse përndryshe turqit do të më kishin hapur shumë punë. Murati, i cili kishte një ushtri të shkëlqyer, duhet të përballej me ta, ndaj nuk mund të dërgonte tek unë më shumë se 10 000 vetë. I lashë të kalonin pa asnjë pengesë deri në Epir, por me të arritur atje, i sulmova sikurse një luan gjuan prenë e vet, mes pyjesh, malesh dhe ngushticash, ku kalorësia që formonte pjesën më të madhe, nuk mund të vepronte. E gjithë trupa mbeti me 800 vetë, të cilët lëshuan armët dhe u dorëzuan. Më tej, bëra një kundërvizitë në tokat turke, duke i lënë të mitë të bënin tërë plaçkitjet e mundshme. Por, në të njëjtën kohë, turqit kishin hyrë në vendin tim me një tjetër ushtri, nga një anë tjetër. Ata e keqtrajtuan atë jashtëzakonisht. Një fshatar epirotas hipi në kalë dhe erdhi të më tregonte për zjarret dhe kërditë që po bënin armiqtë. Ai m’u ul në gjunjë, duke m’u lutur të shkoja t’i ndihmoja. U nisa menjëherë dhe iu hodha turqve më parë nga ç’e prisnin. I munda dhe u mora atyre të gjitha plaçkitjet që kishin bërë. Trupa komandohej nga Mustafa Pasha. Kur arrita atje, ai po qëndronte në një llogore, ku nuk mund të përdoreshin armë zjarri, por vetëm armë të ftohta. Ushtarët arritën deri aty sa të kapeshin prej flokësh dhe të kacafyteshin. Pavarësisht këtyre fitoreve, në fushatën e vitit 1444 gjërat nuk ishin fort të favorshme për mua, sepse hungarezët pësuan disfatë të plotë në Varnë, aty ku qëndronte ende mbreti i tyre, Ladislavi. Unë druhesha se mos tërë forcat e turqve mund të më viheshin kundër.
Veç kësaj, isha i përfshirë në një luftë me venedikasit. Kjo për shkakun e një marrëveshjeje me Lekë Zaharian, zot i Danjës. Në këtë marrëveshje dëftohej se unë do të isha pasardhës i vendit të tij, nëse ai do të perëndonte pa trashëgimtarë. Pasi ai u vra pabesisht nga njëfarë Lekë Dukagjini, i cili shpërente që të bëhej zot i atij vendi, nëna e Zaharisë, e zgjedhur pas vdekjes së të birit për të sunduar, ua dorëzoi pas pak kohësh vendin e saj venedikasve. E quajta këtë dhuratë si të pavlefshme dhe e bllokova për disa kohë qytetin e Danjës. Venedikasit më sulmuan me 15 000 burra, ndërsa unë shkova në luftë kundër tyre me 8 000. Formova rendin e betejës, e cila ishte mjaft e përgjakshme. Po ashtu, mësova se nuk kishte të bënte me turqit. U përdorën armët e ftohta, por venedikasit u mbrojtën gjatë, deri sa unë me disa grupe u futa mes tyre duke i çorientuar. Me gjithë ato që pësuan, ata sërish riorganizoheshim. Duke u futur sa andej-këtej në batalionet e tyre, u shkaktova në fund një humbje të madhe dhe i detyrova të largoheshin (Gazeta Shqiptare)./KultPlus.com