13 Nëntor, 2024 - 9:18 pm
Vjollca Duraku
Institucioni më i madh bibliotekar në Kosovë, Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” e cila është edhe një ndër objektet më ikonike në vend këtë fund nëntor organizon një festë të veçantë, me rastin e 80-të vjetorit të themelimit të saj, shkruan KultPlus.
25 Nëntori është Dita e Bibliotekës, dhe për këtë përvjetor jubilar ky institucion arsimor e kulturor i rëndësishëm për komunitetin shqipfolës në rajon po organizon një festë të madhe, në kuadër të së cilës do të bëhet edhe përurimi i Platformës së Bibliotekës Digjitale dhe web-faqes së re të institucionit.
Biblioteka e parë e Kosovës është themeluar në vitin 1944, kurse “Pjetër Bogdani” është hapur në vitin 1982. Njihet për stilin unik të ndërtesës të dizajnuar nga arkitekti kroat Andrija Mutnjakovic, dhe paraqet një shprehje autentike arkitekturore kombëtare, e cila është projektuar në vitin 1971. Kupolat e saj e kategorizojnë atë në monument kulmor të arkitekturës sonë.
Lidhur me organizimet e kësaj feste mediumi KultPlus ka realizuar një intervistë me drejtoreshën e Bibliotekës, Blerina Rogova- Gaxha, e cila ka njoftuar se në këtë ditë të shënuar do të promovohet edhe Platforma Digjitale e Bibliotekës Kombëtare.
“80 Vjetori i themelimit, Bibliotekën e gjen me Qendrën e Digjitalizimit, si një ndër të arriturat kryesore në proceset transformuese të Bibliotekës. Në synimet tona për përmbushjen e objektivave strategjike, një ndër aktivitetet tona më të rëndësishme që është realizuar në vitin e fundit është edhe zhvillimi i Platformës së Bibliotekës Digjitale” ka thënë Rogova- Gaxha, e cila është emëruar drejtoreshë e institucionit në korrik të këtij viti.
Drejtoresha e Bibliotekës gjithashtu ka njoftuar se në këtë ditë do të përurohet edhe Web-faqja e re e BKK-së, e cila pritet të lehtësojë qasjen dhe punën për këtë institucion me peshë të madhe për qytetarët e vendit.
“Aktivitet tjetër në shënimin e 80 Vjetorit të themelimit Bibliotekës është Përurimi i Platformës së Bibliotekës Digjitale, e cila, nga Dita e Bibliotekës do të ofrojë qasje të lehtë dhe të shpejtë në objekte digjitale, përmes teknologjive të avancuara të informacionit duke respektuar standardet dhe normat ligjore”.
Ceremonia solemne do të nisë pasdite në orën 17.00,dhe të gjitha aktivitetet kryesore për këtë festë janë përfshirë në këtë ditë. Biblioteka Kombëtare e Kosovës, në 80 vjetorin e themelimit të saj, gjithashtu është duke përgatitur ekspozitë me një përzgjedhje të koleksioneve të veçanta të fondit të saj. Antologjia e koleksioneve, përfshin botime të shtypura, dorëshkrime dhe materiale origjinale nga fondi i BKK-së.
Drejtoresha Rogova- Gaxha, në këtë intervistë për KultPlus ka bërë të ditur se përgatitja e Ekspozitës është duke u realizuar në bashkëpunim me Hana Halilaj, kuratoren e Galerisë së Arteve të Kosovës dhe arkitektin Okan Xhemajli.
Një koncert i veçantë artistik festiv do të jepet nga Filharmonia e Kosovës në Hollin e bukur të Bibliotekës, mozaiku i të cili për vite me radhë ka shërbyer si vend me një enterier të jashtëzakonshëm, të përshtatshëm për dhjetëra mijëra ngjarje intelektuale dhe kulturore.
Për këtë përvjetor jubilar drejtoresha Rogova- Gaxha është përkujdesur që festa të ketë edhe llogo të veçantë me sipirale të cilat gjenden sipër hollit të Bibliotekës, domethënia e të cilave lidhet kohën e neolitit të vonë.
“Inspiruar nga arti shkëmbor i Vlashnjes, spiralet të cilat thuhet se janë punuar midis neolitit të vonë (rreth 3600 pes) dhe epokës së hershme të bronzit (rreth 2000 pes). Vlashnja gjindet 6km nga Prizreni. Ka shumë teori se çfarë mund të reprezentonin në kohërat e lashta këto spirale: diellin, lindjen-rritjen-vdekjen-rilindjen dhe botën e përtejshme, pastrimin shpirtëror, etj. Por më së shumti që më ka lënë përshtypje është “rruga drejt iluminizmit”, ka bërë të ditur dizajneri Dardan Luta.
Një dokumentar për Bibliotekën Kombëtare me rastin e 80 vjetorit, i cili i referohet rolit dhe rëndësisë së Bibliotekës në kontekstin kulturor e historik të Kosovës, është duke u përgatitur nga Radio Televizioni i Kosovës-RTK. Në këtë dokumentar figura kontributdhënëse në zhvillimin e BKK-së do të pasqyrojnë zhvillimin e institucionit ndër vite.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka një rol të veçantë kulturor, kërkimor, shkencor dhe arsimor, qëllim kryesor i së cilës është mbledhja dhe ruajtja e trashëgimisë intelektuale në Kosovë./ KultPlus.com