Bonjour, Madame

21 Gusht, 2020 - 7:30 pm

Tregim nga Nerimane Kamberi

“Bonjour, madame”, ju duk sikur e dëgjoj një zë mbrapa saj dhe e kthej kryet ngadalë, por nuk e pa askënd. Rruga ishte e zbrazët, u çudit paksa, se ishte mesi i javës dhe gjithmonë kishte gjallëri në këtë orë të ditës, ditës së hënë, kur pas të dielës së qetë, kthehej zhurma në rrugën kryesore të fshatit, aty ku ishin posta, dyqani i ushqimeve dhe shkolla gjashtë klasash përreth sheshit ku uleshin, paradite, pleqtë, dhe pasditeve, nënat me fëmijët e tyre, pas orës së fundit të mësimit, kur i merrni nga mësuesja që priste me ta në oborr. Ajo vazhdoj të ec, me shpresë se do ta shihte dike, se do ta dëgjonte prapë atë përshëndetje që e gëzoj kur doli nga shtëpia, edhe pse shpejt e kuptoj se ajo ishte e vetëm, por nuk donte të shqetësohej, t’ia prishte vetit ngazëllimin që e ndiente.

Pothuajse dhjetë ditë nuk kishte dalë nga shtëpia, e mundonin eshtrat në këtë fillim pranvere, shiu kishte rënë pandërprerë, dhe ajo shikonte, kur mundte të ngrihej në këmbë, nga dritarja, pak minuta, e pastaj drejtohej kah kuzhina ku e përgatiste një supë, në drekë, dhe një çaj, pasdite vonë, pak para se të binte në gjumë, se flinte herët. Tash i kujtohej se as nga dritarja nuk e kishte parë asnjë njeri të kaloj në rrugë, qoftë duke shkuar të blej bukë, apo duke u kthyer nga shtëpia e kulturës ku do të ishte dhënë ndonjë shfaqje, vërtetë binte shi pa ndal por ndonjë çadër, e kuqe, e kaltër, do ta kishte thyer zymtësinë e ditëve që ende nuk kishin nisur të zgjaten.

E sot dielli kishte hyrë në mënyrë diskrete në dhomën e saj dhe rrezet kishin luajtur kukafshehur te perdet, ajo e kishte shtyrë edhe pak gjumin, gjë e pazakonshme për të. “Do të dal për një shëtitje.” mendoj ajo. E tash gjendej para shtëpisë së Luizës, aty përballë kishës. Me Luizën ishin njohur në klasë të katërt, dhe nuk ishin ndarë më, derisa vendosën ta çojnë atë në shtëpi të pleqve. “Ajo nuk po mban në mend më asgjë. Nuk mund të jetoj më e vetëm.” i kishin thënë fëmijët e saj kur ajo kishte kundërshtuar largimin e shoqes së saj nga vendi ku kishin kaq shumë kujtime.

Por Luiza mbante në mend emrat e djemve të klasës, të atij me syza, atij flokëkuqit, atij me dhëmbët e rralla që e pëlqenin të dyja dhe atij të përkëdhelurit të mësuesit. I kujtoheshin të gjitha vjershat e mësuar në shkollë. Mbante në mend se cilën kapelë mbanin kur dilnin për piknikun vjetor të fshatit. Prej asaj dite, kur kishte parë të largohej vetura që e kishte marrë shoqen e saj, ajo kishte kaluar çdo here para shtëpisë së Luizës, por pa u ndalur, se i dhembte shpirti dhe fillonin t’i dridheshin buzët, jo, jo, s’do të qante, kurrë nuk e kishte derdhur asnjë pikë loti.

Por nuk e diti pse sot nuk mundi t’i përmbaj lotët, ndoshta për shkak të qetësisë së padurueshme që mbretëronte në rrugë, ndoshta për shkak të dyqanit të mbyllur apo për shkak të sheshit të zbrazët, edhe kur kryej tregu që mbahej aty, kishte më shumë zhurmë,; shpejt, duhej të kthehej në shtëpi, ta thërriste Luizën me telefon atje ku nuk kishte dashur kurrë të shkoj ta shoh, por ku e thërriste çdo të diele, dita e meshës “më mirë po e dëgjoj zërin tënd, se atë të zotit.” i thoshte ajo duke qeshur.

“Kërkoni Madame Luizën? Por a nuk e dini, ajo ka vdekur, para dy ditëve, e mori kjo murtajë. Si, cila murtajë? Nuk e dini për çka e kam fjalën? Nuk ju ka treguar askush? Nuk keni dëgjuar lajme? Nuk e dini çka po ndodh në botë? Kujdes, se po sëmurën më shumë të moshuarit. ” Ajo mbylli telefonin, i dridheshin duart, mbylli derën, e solli dy here çelësin, dhe e ulur në kolltukun e saj kadifeje, pasi e çiti krahëve një shall shumë të vjetër, pothuajse sa ajo vetë, të thurur me ngjyra plot, hapi kutinë e biskotave ku i ruante letrat e saj, ashtu sikur ajo i kishte ruajtur të sajat, e dinte, i kishte treguar, do t’i botonin një ditë, e të bëheshin të famshme, e të pasura, ah ah ah, sa kishin qeshur me këto idetë e tyre, e do t’ia vinin titullin “Mike qe gjithmonë “. E kapi njërën, ashtu, pa rend, e hapi zarfin dhe filloj ta lexoj: “E dashur Anë, ….” / KultPlus.com

Të ngjajshme