‘Borxhli ndaj Kosovës’ Fatos Kongoli rrëfen marrëdhënien me lexuesit

14 Qershor, 2019 - 10:38 pm

Pas panairit të librit në Prishtinë, ku u shpall autor i vitit, takimi i radhës me shkrimtarin Fatos Kongolin ishte në kalanë e Tiranës. Në një bisedë me disa gazetarë e lexues, Kongoli rrëfeu të gjitha ndjesitë e vizitës së fundit në Kosovë, si i ftuar nderi në panair, por edhe vlerësimet që i janë bërë ndër vite nga lexuesit atje. Duke kujtuar dy momente të vështira të krijimtarisë së tij dhe mbështetjen e Kosovës, shkrimtari i njohur shprehu dëshirën për të pasur nënshtetësinë e këtij vendi.


“Marrëdhëniet e mia me Kosovën, lexuesit e Kosovës, letërsia ime në Kosovë; unë jam ndier gjithmonë tepër i vlerësuar dhe i mbështetur në dy momente shumë të vështira të krijimtarisë sime, kur u botua romani im i parë absolut, Ne të tre dhe vite më vonë kur u botua libri im më i rëndëishëm që unë e konsideroj sot me titull ‘Iluzion në sitrar’, i cili në Shqipëri u prit me një stuhi kundërshtimesh, në Kosovë u ribotua, mori edhe një çmim prestigjoz. Për të gjitha këto, unë ndihem borxhli ndaj Kosovës dhe do të isha i lumtur nëse shteti i Kosovës mund të më akordonin shtetësinë e qytetarit të kosovës, kjo do të ishte një lumturi shumë e madhe.”

“Gënjeshtarë të vegjël” i risollën edhe njëherë autorit emocionet e dashamirësve të tij në Kosovë. I sinqertë, i emocionuar e në të njejtën kohë mirënjohës, Kongoli nuk harron të falenderojë lexuesit e tij, pasi me vizitën e fundit në Prishtinë përshtypjet e tij për ta të arritën kulmin.

Deri të dielën në Kalanë e Tiranës do të ketë takime me shkrimtarë, përkthyes e botues në panairin “Një libër për pushime.”

Të ngjajshme