Bosnja ia ndalon hyrjen shkrimtarit rus Zakhar Prilepin

24 Gusht, 2018 - 6:10 pm

Autoritetet në Bosnjë dhe Hercegovinë i kanë ndaluar hyrjen në këtë shtet shkrimtarit rus, Zakhar Prilepin, duke shkaktuar zemërim te liderët e serbëve të Bosnjës dhe Ambasada ruse në Sarajevë, raporton REL.

Në një deklaratë të lëshuar më 23 gusht, ambasada ka shprehur “shqetësim dhe zhgënjim” pasi Prilepin është kthyer nga kufiri në mes të Serbisë dhe Bosnjës, duke kërkuar sqarim nga ministria e Jashtme e Bosnjës.

Lideri i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik ka thënë se ndalimi i Prilepinit është i “turpshëm dhe i drejtuar kundër miqve të Republikës Serbe të Bosnjës”, që banohet me shumicë serbe.

Prilepin kishte planifikuar të merrte pjesë në një ngjarje të letërsisë më 24 gusht në Banja Llukë.

Ai i ka thënë agjencisë ruse të lajmeve, Sputnik se kur ka tentuar të hyjë në kufi, atij i është prezantuar një dokument në të cilin thuhej se atij i është ndaluar hyrja në Bosnjë sepse “përbën kërcënim për sigurinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare” në këtë shtet.

Prilepin është i lidhur me separatistët e mbështetur nga Rusia që luftojnë kundër forcave qeveritare në lindje të Ukrainës.

Shkrimtari rus ka thënë se ai mendon që ndalesa mund të jetë lidhur me përfshirjen e tij në konfliktin e vazhdueshëm në rajonet ukrainase, Donetsk dhe Luhansk.

Luftimet në këtë pjesë të Ukrainës kanë lënë të vdekur më shumë se 10,300 persona prej kur ka nisur konflikti më 2014./KultPlus.com

Të ngjajshme