20 Nëntor, 2020 - 2:12 pm
Nga Teuta Vinca Kafexholli
Për veprën “Në kohë pandemie nipat e mi s`dalin jashtë shtëpie” nga Sabile Keçmezi Basha, botim i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Prishtinë, 2020.
Nuk po ndalem te krijimtaria e deritashme e suksesshme e mikes sime Sabile Keçmezi Basha, as te biografia e rrugës së saj jetësore, gjithashtu e pasur, por po ndalem te një kopsht kreativ që ma ka dërguar autorja.
Nuk më kujtohet cili nga shkrimtarët ka një lutje drejtuar lexuesve kur e përfundon hyrjen në veprën e tij e thotë: Urdhëroni e hyni pa trokitur në kopshtin tim poetik. Hyra dhe unë në kopshtin me lule e u takova me lulet e jetës së Sabile Keçmezi Bashës që botërisht na i ofron autorja e veprës. Ata (ato) kanë gjallëri, kanë epitete, kanë shpirt dhe mbushin faqet e librit të ri. I gjen në çdo lagje këto lule të Prishtinës, që me gjuhë metaforike i mbushin vargjet. Ata janë tre vogëlushët Gerti, Darsi, Beni, ata flasin, gëzohen, pikëllohen, i kënaqin të afërmit e vet: gjyshen e gjyshin po na gëzojnë edhe neve të gjithë lexuesve e na thonë se e duam shkollën, i duam mësuesit, i duam shokët e shoqet, duam të mësojmë e të marrim sa më shumë informata të reja.. Na thonë neve të gjithëve: mos na shikoni veshjet stilistike, metaforat, poetikat së jashtmi e së brendshmi: nuk kemi lindur të ju lodhim me abstraksione në këto ditë pandemie
botërore, po duam t`ju gëzojmë me disa çaste jete e të ju mbushim me optimizëm jete e t`ju themi se do ta përballojmë edhe këtë gjendje në Kosovën tonë kaq të vuajtur por jo të mposhtur. Pra më flasin mua dhe të gjithëve: ja ne jemi lulet që invenca krijuese e Sabile Keçmezi Bashës na renditi në kopshtin poetik të saj. Urdhëroni pra e hyni pa trokitur në këtë kopsht me 50 poezi dhe me 81 faqe.
Që nga vjersha e parë, që është si hyrje e veprës ”Në kohë pandemie nipat e mi s`dalin prej shtëpie”, poetja ua bën me dije lexuesve për një kohë jo të zakonshme, pra për kohën e pandemisë globale që nuk la pa përfshirë edhe vendin tonë.
Bie në sy edhe aparatura shkencore që poetja S.K. Basha e ka në disa poezi, për të plotësuar informacionet. Kjo na flet edhe për atë se penda e poetes dhe studiueses sonë, kanë qenë dhe janë të pandashme.
Ato që e begatojnë veprën në fjalë, janë edhe ilustrimet, vizatimet, fotografitë që e pasurojnë me kolorit tërheqës për botën e fëmijëve, të cilëve ua ngjall botën e kureshtjes edhe më shumë. Në disa vjersha kemi informacione për Wuhanin, prej nga është bartur virusi, pastaj për Stubllën e Vitisë, dr. Lul Rakën, për punën e tij të palodhshme në rrethana
të vështira etj. Pra përveç anës artistike, vjershat e Sabile Keçmezi-Bashës luajnë rolin edukativ dhe njohës, sepse na japin informacione, të cilat u përgjigjen kërkesave dhe psikologjisë së fëmijëve. Gjithashtu fëmijët marrin edhe këshilla të dobishme dhe të rëndësishme, të cilat nuk ndikojnë vetëm në shprehitë e mira jetësore, por edhe nxisin te ta dashurinë për artin letrar. Poetja jonë e ka të qartë se bota e fëmijëve mëson shumë përmes përjetimeve artistike.
Këtë recension dua ta mbyll me një mendim sinjifikativ të poetes të njohur dhe të dashur për fëmijë Adelina Mamaqit: “Të shkruash për fëmijë, të hysh në zemrën e lexuesit, që ai të thotë se dua këtë libër, dua librin e këtij shkrimtari, është tepër e vështirë, sepse duhet të dish të futesh në psikologjinë e fëmijës”.
Pra vargjet e poetes Sabile, kanë një gjuhë të bukur letrare, me ngjyrime poetike, me fjalor të pasur, të qartë, me informacione të shumta, duke e bërë veprën e saj mjaft tërheqëse, mbresëlënëse për lexuesit e vegjël. / KultPlus.com