8 Maj, 2024 - 7:15 pm
Në një mbrëmje kushtuar romanit të tij të fundit, në Prishtinë, Gani Mehmetaj tha se “Lufta e Pengjeve” po përkthehet në gjuhën frënge dhe atë kroate. Shkrimtari, gazetari e kineasti tha gjithashtu se do të aplikojë për mbështetje në Slloveni e Kroaci për ta realizuar subjektin në një film artistik mbi luftën në Ballkan. Ai tha se filma mbi këtë temë dhe me optikën që ofron ai, i mungojnë rajonit. Mehmetaj tha se nuk përpiqet të bëjë propagandë përmes letërsisë e as përmes kinemasë së tij.
Një vit pas botimit të këtij libri, autori po përgatitet të sjellë, së bashku me UET PRESS, romanin “Muri i Heshtjes”, një rrëfenjë mbi luftën dhe dashurinë
E pat shkruar fillimisht në formën e një skenari filmi. Me përvojë të gjatë si kineast e njihte nevojën e një filmi të tillë në Ballkanin e pas shpërbërjes së federatës jugosllave që pasoi me luftëra të përgjakshme e krime…Konflikti i tetë ushtarëve, prej tetë kombësive të ndryshme në ushtrinë jugosllave, të pozicionuar në një humbëtirë sllovene prapa diellit u pëlqye fort nga qendrat kinematografike të Sllovenisë e Kroacisë, të cilat shprehën vullnetin ta mbështesnin financiarisht produksionin sapo vendi origjinal, Kosova, të merrte përsipër financimin me pesëdhjetë për qind. Për fat të keq, Ministria e Kulturës së Kosovës nuk e mbështeti dhe kineasti e humbi të drejtën për ta nisur filmin, në një mënyrë ironike pasi atë kohë kryente edhe funksionin e drejtorit të “Kosova Film”.
Duke parë pengesat dhe pamundësitë financiare për të realizuar një film me atë skenar, Gani Mehmetaj nuk u ndal duke gjetur një formë të re: e shkroi si një dramë me titullin “Nata e Fantazmave”.
Më 2023-shin vendosi ta çojë edhe më tej, duke e sjellë si roman me titullin “Lufta e Pengjeve”, të cilin e botoi në logon e shtëpisë botuese UET Press.
Një vit më vonë, më 6 maj të këtij viti, i kushtoi romanit një mbrëmje në Prishtinë duke ndarë përshtypjet mes miqsh, kolegësh, kritikë të artit e letërsisë, lexuesish e dashamirësish, por edhe përfaqësues të besimit katolik e atij ungjillor. Një mbrëmje ku të njohurit ndanë përshtypjet mbi veprat e Mehmetaj dhe që u shoqërua gjithashtu me këngë të vjetra shqipe.
Zbuloi se nuk ka hequr dorë nga ideja fillestare e skenarit, duke ndarë me të pranishmit se vitin e ardhshëm do të konkurrojë sërish në Qendrën Kinematografike të Kosovës, por edhe në Slloveni e Kroaci.
“…në Serbi nuk jam i sigurt që do ta mbështetin, edhe pse jam përpjekur që edhe serbin ta paraqes objektivisht pa anuar nga asnjëra palë. Por, mund të ketë gjëra që nuk u pëlqejnë, ashtu siç nuk u ka pëlqyer libri “Zogjtë e Qyqes” – u shpreh autori Mehmetaj.
I pyetur nga të pranishmit nëse ka pasur përpjekje për t’i përkthyer librat e tij në gjuhë të tjera, për t’i çuar tek lexuesi jashtë hapësirës shqiptare, autori ndau lajmin se “Zogjtë e Qyqes” – roman me të cilin fitoi Çmimin Kadare 2021 – ku historia e luftës në Kosovë rrëfehet me sytë e një koloni serb, para se të përkthehej e botohej në frëngjisht, kroatisht e italisht pati interes edhe nga botues në Serbi.
“Kanë qenë të parët për ta përkthyer në gjuhën serbe dhe përkthyesi ka qenë entuziast, por pastaj botuesi kur e lexoi një pjesë e humbi entuziazmin dhe nuk mora më përgjigje. Ishin përgjigje të flashkëta, me justifikimet e krizës financiare, pastaj heshtën”, shtoi më tej autori.
Gani Mehmetaj tha se aktualisht libri i tij i ri “Lufta e Pengjeve” po përkthehet në gjuhën frënge dhe atë kroate.
“Para pak kohësh, më thirri Nikollë Berisha nga Tuzi – përkthyes i veprave të Kadaresë në gjuhën sllovene e kroate – i kishte pëlqyer romani dhe ishte i sigurt se do të ketë shumë sukses në Kroaci. E po ashtu, përkthyesi francez: fillimisht i propozova të përkthehej romani “Boritë e Apokalipsit”, por kur bënim promovimin në Tiranë dëgjoi për këtë roman [“Lufta e Pengjeve”] tha ta shtyjmë për vitin tjetër atë të parin”. Mehmetaj zbuloi se libri tashmë është përkthyer dhe në Francë do të botohet gjatë vjeshtës.
“Do të përpiqem të jem më i angazhuar dhe do ta bëj film këtë roman. Në ish-Jugosllavi nuk është bërë një film i ngjashëm. Sllovenët kanë bërë pjesërisht, kroatët aksione të caktuara në vende të caktuara kundër ushtrisë serbe, por jo një rrëfim të ngjashëm, as serbët. E kam trajtuar temën pak më ndryshe dhe pos boshnjakëve, të tjerët nuk kanë bërë filma. Serbët kanë filma sesi ne kemi bërë krime ndaj tyre e jo ata ndaj nesh. Është fatkeqësi që ne nuk kemi bërë asgjë, që t’i kundërvihemi një propagande. Unë nuk bëj propagandë as me roman as me film. Dua ta paraqes gjendjen e tillë çfarë ka qenë, pa mbajtur anë e pa qenë i njëanshëm”, u shpreh autori, i cili përveç dimensionit si prozator njihet si publicist e gazetar gjithashtu.
Pastori ungjillor, Artur Krasniqi, i cili drejtoi mbrëmjen kushtuar librin “Lufta e Pengjeve” dhe autorit Gani Mehmetaj vuri në dukje penën prodhimtare të tij. Edhe Don Fatmir Koliqi, prift i kishës së Stubllës e po ashtu autor e kritik letrar e vlerësoi krijimtarinë letrare të Gani Mehmetaj.
Kryeredaktorja e shtëpisë botuese UET PRESS, Suadela Balliu, tha se Mehmetaj nuk lodhet së shkaktuari mbresa te lexuesit me krijimet e tij letrare. Ajo e vlerësoi autorin si penë prolifike të letrave të sotme shqipe dhe ndau me të pranishmit lajmin se shtëpia botuese UET PRESS po punon për librin më të ri të Mehmetajt, titulluar “Muri i Heshtjes” – një roman me nota të realizmit magjik, ku shpalosen dallimet dhe larmitë e bashkësive të ndryshme etnike, fetare e kulturore, të cilët bashkëjetojnë në terrene aspak idilike e shumë të rrëshqitshme të historisë mbushur me luftëra, gjak e kufoma. Përmes familjeve shqiptare, serbe e boshnjake, por edhe me personazhe nga pakica të tjera si ato rome, autori përpiqet të zbardhë krimet nga koha e Luftës së Dytë Botërore, duke gërshetuar në një trill letrar por me pasuri burimore e historike një rrëfenjë për luftën dhe dashurinë.
“Për ne, si shtëpi botuese, të kemi Gani Mehmetaj mes nesh si autor na bën nder. Është një prej autorëve tanë të nderuar me Çmimin Kadare dhe një autor që i bën nder letrave shqipe. Përmes letërsisë së tij, ai përpiqet të edukojë lexuesit për reflektim më të thellë”, u shpreh Balliu, duke ndarë edhe keqardhjen që në Tiranë, si prozator, Gani Mehmetaj është njohur disi vonë.
Duke ndarë përshtypjet si lexuese, Balliu tha se ndonjëherë mjafton edhe një libër i vetëm, si “Lufta e Pengjeve” të të mësojë shumë mbi historinë. “ Sepse, atë nuk ta mëson përmes ngjarjeve e datave të thata, por përmes njerëzve dhe dramave. Me mjeshtëri autori rikrijon një Jugosllavi të tijën, përmes tetë ushtarëve në një kazermë në alpet sllovene. Jo me kot janë prej kombësive të ndryshme. Jo më kot janë njerëz të thjeshtë, arketipa që mbartin cilësimet kulturore të çdo kombi, besëtytnitë, keqkuptimet, urrejtjet për tjetrin. Jo më kot në Slloveni dhe jo më kot në “kazermën prapa diellit”, si një metaforë për ta zbuar larg të keqen, ndërsa ngjarjet janë të vendosura në kohën kur shpërbërja e Jugosllavisë rindez luftërat e vjetra. Përmes këtyre ushtarëve të thjeshtë shkrimtari nis dhe zhvarros plagët e fshehura, që kurrë nuk zunë kore.”
Kryeredaktorja e shtëpisë botuese e cilësoi romanin “Lufta e Pengjeve” si një libër monumental, një libër për njeriun dhe qëndresën, ndërsa vlerësoi se Mehmetaj në letërsinë e tij na ofron të shohim nga dritarja e tjetrit, duke mos mbajtur kahe. “Edhe nëse mund të mos jemi dakord, edhe nëse është e vështirë të falim. E sigurt që ky roman, në çdo rast sjell katarsis”, përfundoi Balliu.
Duke gërshetuar shpërfaqjen si shkrimtar dhe kineast, Mehmetaj iu përgjigj kureshtarëve që donin të dinin nëse fillimisht i mendon romanet si film duke thënë se është autor që mendon me imazhe.
“Unë mendoj me pamje, më imazhe. Edhe kur i bëj shkrimet, punoj me imazhe, së pari i shoh skenat, me të gjitha këndet e kamerës dhe e paraqes në tekst. E mendoj çdo gjë me imazhe. Përpiqem ta thyej ndonjëherë, por mendoj që është më dinamike. Në historinë e filmit botëror, por dhe disa nga shkrimtarët më të mëdhenj të botës thonë se mendojnë me imazhe”, përfundoi autori, i cili e mbylli mbrëmjen duke dhënë autografe për dashamirësit e letërsisë së tij./liberale/ KultPlus.com