28 Janar, 2024 - 11:35 pm
Tre libra të Dilaver Kurtit autor studimesh në histori, arkeologji dhe etnologji janë promovuar këtë të shtunë në Tiranë. Pas shfaqjes së një materiali në video për Kurtin, të pranishmit folën për tre titujt “Trashëgime iliro-arbërore”, Shënime etnografike nëpër Mat” dhe “Folklor nga Mati” dhe veçantitë e Kurtit duke kujtuar me këtë rast jetën dhe veprën e tij 26 vite pasi është ndarë nga jeta.
Mbledhës i folklorit të Matit dhe i objekteve etnografike, ai punoi për ngritjen e bibliotekës së parë në Mat më 1967, dhe më pas për hapjen e një muzeu të qytetit.
Në vijim ai ndoqi gërmimet arkeologjike në kodërvarreza tumulare dhe varreza shpellore. Materialet e tij kërkimore janë botuar në organet e Institutit të Arkeologjisë dhe të atij të Monumenteve.
Emra të njohur si Selim Islami, Frano Prendi apo Muzafer Korkuti kanë vlerësuar kërkimet e Dilaver Kurtit dhe kontributin e tij për zbulimin e kulturës ilire të Matit./ Balkanweb/KultPlus.com