20 Nëntor, 2024 - 12:30 pm
Kohë më parë doli një libërth me vetëm 80 faqe kushtuar profesionit të gazetarisë.
Autori Esad Dujaka, gazetar në pension thotë se nuk i është çasur gjendjes aktuale nga po ecën gazetaria këndej e matanë Drinit (siç shprehej poeti i njohur Dritëro Agolli) por ka marr shembuj gjithandej nga pjesa më demokratike botërore ku edhe është zhvilluar një gazetari sipas normave të paracaktuara profesionale e deri te ato njerëzore që e bëjnë këtë profesion të jetë, sipas normave të dështuara-si shtylla e 4-të e shtetësisë së një vendi demokratik.
Autori Dujaka ndalet edhe në historinë e gazetarisë shqipe në Kosovë, që u zhvillua dhe u bëri ballë rrethanave të vështira nëpër të cilat kaloi Kosova, populli shqiptar e me to edhe profesioni i gazetarisë, siç e thotë autori “duke ecur si nëpër tehun e shpatës”.
Autori bën përpjekje që të vë në spikamë prirjen dhe profesionalizmin që janë dy veçori si pjesë e pandashme e këtij profesioni.
Autori i këtij librit e thotë se nga po ecën gazetaria profesionale në viset shqiptare, duke thënë si ngutas se sa e si vlerësohet ky profesion, sa është në funksion të shtetbërjes dhe sa (nuk) iu përmbahet normave profesionale por madje edhe atyre njerëzore, por njëkohësisht sinjalizon për tretmanin jo aq mbështetës që duhet të kenë mjetet e informimit dhe gazetarët.
Autori ka deklaruar se këtë libër nuk e ka shitur në treg, por dëshiron ta ndajë dashamirësinë e këtij zanati tek degët e gazetarisë në universitete./ KultPlus.com