Botohet “Gjurmë të Qamilit të Vogël në muzikë”

23 Tetor, 2024 - 2:30 pm

“Gjurmë të Qamilit të Vogël në muzikë” është një studim monografik i strukturuar mbi bazën e katër krerëve, (duke mos llogaritur këtu hyrjen, literaturën e shfrytëzuar dhe indeksin e emrave), me autor Krenar Doli dhe Bestar Vula, përcjell KultPlus.

Secili prej krerëve paraqet njësi më vete, sepse në kuadër të çdonjërit prej tyre merren në shqyrtim aspekte dhe çështje të caktuara, por të gjitha këto qëndrojnë në funksion të tërësisë përmbajtjesore të studimit.

Kreu i parë përmban sfondin historik, mbi të cilin është zhvilluar ahengu i qytetit të Gjakovës ndër vite. Gjithashtu vihet në dukje roli i fisnikërisë vendëse në themelimin e shoqërive muzikore, si dhe flitet për përfaqësuesit e parë të ahengut të qytetit të Gjakovës, flitet gjithashtu për instrumentet e para që futen në ahengun e qytetit të Gjakovës. Flitet për përmbajtjen ideoemocionale të materialeve muzikore, për autorët tashmë të evidentuar si dhe flitet për ndikimin e ahengut të qyteteve shqiptare (Berat, Elbasan, Shkodër) me qytetin e Gjakovës.

Në kreun e dytë është trajtuar e analizuar figura e Qamil Muhaxhirit, ku ky krijues, interpretues, mbledhës dhe zbulues i talentëve të rinj është shikuar në disa rrafshe:

a) bëhet ndarja e krijimtarisë së krijuar nga ai,

b) analizohen këngët e interpretuar nga ai,

c) analizohen dhe shqyrtohen dokumentimi i 11 blejve të hartuar dhe të mbledhur nga vetë ai,

d) figura e Qamilit të Vogël është parë edhe në një dimension tjetër, atë të zbuluesit të interpretëve të rinj.

Tek kreu i tretë janë përzgjedhur dhjetë (10) figura të njohura kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilat flasin për cilësitë e Qamilit të Vogël në ruajtjen, kultivimin, pasurimin e traditës muzikore shqiptare të të gjitha trevat ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët.

Në kreun e katërt janë paraqitur aktivitetet më të rëndësishme që janë organizuar për nder të kujtimit dhe respektit të figurës poliedrike të Qamilit të Vogël, si dhe janë radhitur këngët që janë kënduar nga këngëtarë të ndryshëm në nderim të tij.

Në pjesën përfundimtare të monografisë paraqitet përfundimi në gjuhën shqipe dhe në atë angleze, për të vijuar me literaturën shkencore të botuar dhe të pabotuar, si dhe indeksin e emrave. / KultPlus.com

Të ngjajshme