3 Nëntor, 2020 - 2:32 pm
Sot bëhen 25 vjet që prej kur është ndarë nga jeta atdhetari, patrioti, mbledhësi i folklorit e shkrimtari ynë i madh, Anton Çetta. Për nder të figurës së tij, me propozim të Ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, Qeveria e Kosovës, ka marrë vendim që muaji nëntor të jetë muaji i Anton Çettës.
Në kuadër të këtij muaji janë planifikuar që të organizohen një sërë aktivitetesh në nderim dhe kujtim të kësaj figure të ndritshme të Kosovës, por për shkaqe pandemie shumë nga organizimet do të mbahen në mënyrë online ose me sa më pak njerëz të grumbulluar për të respektuar rekomandimet e institucioneve shëndetësore.
Aktivitetet kanë nisur nga sot me botimin e kompletit të veprave të Anton Çettës, të cilat i prezantoi Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, në një takim me Ministren e Financave, Hykmete Bajrami. Ndonëse sot parashihet që të bëhej edhe promovimi i kompletit të veprave, mirëpo për shkak të rrethanave me Covid-19, organizimi një promovimi të tillë ishte i pamundur.
Kompleti i veprave të Çettës përmban 13 vëllime, duke përfshirë krijimet për fëmijë, përmbledhjen e folklorit në 5 vëllime, kërkimet folklorike, balada dhe legjenda, këngë kreshnike, varia, të tjerët për veprën e Anton Çettës janë përmbledhur në një vëllim, Anton Çetta dhe aksioni i pajtimit të gjaqeve dhe vëllimi i fundit Intevista dhe letërkëmbime. Botimi i kompletit është mbështetur nga MKRS-ja dhe Qeveria e Kosovës.
Ministrja Dumoshi me këtë rast tha se e falënderon Ministren Hykmete Bajrami për mbështetjen që i ka dhënë këtij botimi, përmes Ministrisë së Arsimit, si ish ministre e Arsimit.
Ministret Dumoshi e Bajrami e vlerësuan lart figurën e Çettës dhe u shprehën se përmes këtyre aktiviteteve Qeveria e Kosovës e nderon dhe e çmon figurën e tij.
Në përvjetorin e Anton Çettës, ministret Dumoshi e Bajrami qëndruar për homazhe tek varri i tij, në Prizren, së bashku profesor Rizah Krasniqin, si rikujtim dhe përulje për angazhimin dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm për pajtimin e mijëra familjeve të hasmuara dhe në çrrënjosjen e dukurisë së keqe të gjakmarrjes.
“Aksioni për Pajtimin e Gjaqeve bëri që viti 1990 të futej në histori si viti kur kjo plagë do të zhdukej rrënjësisht. Si institucione të shtetit të Kosovës e kemi për obligim dhe detyrim që historinë e Kosovës ta kujtojmë dhe nderojmë brenda të gjithë mekanizmave institucionalë që posedojmë”, tha ministrja Dumoshi. / KultPlus.com